Një atentat i dështuar me snajper ndodhi më 12 Shtator në qytetin e Durrësit në mesditë. Sipas burimeve, u qëllua nga një distancë me snajper drejt një automjeti të blinduar me të cilin udhëtonin disa persona.
Nga të shtënat nuk mbeti asnjë i lënduar. Policia njoftoi në atë kohë se ka identifikuar automjetin nga u qëllua me armë, por nuk është gjetur ende.
Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në emisionin Opinion, ka thënë se ka parë këtë video të atentatit. Ai tregon se me snajper u qëllua nga një furgon i bardhë me dritare të modifikuar për të vendosur tytën e snajperit.
“Unë dje kam parë një video që nuk më është vënë në dispozicion. Bëhet fjalë për një atentat si nëpër filma në qytetin e Durrësit. Është një atentat me snajper, ne e kemi raportuar javën e kaluar. Unë e kam parë videon. Them si nëpër filma për nga mënyra dhe mekanizmi se si ka ndodhur. Në një nga hotelet më të njohura të plazhit, në parkingun e këtij hoteli një furgon i bardhë i cili ishte furgon për transport mallrash, në pjesën e pasme të tij ishte modifikuar një dritare e vogël. Furgoni në fjalë i cili sipas policisë është identifikuar por ka mbi 1 javë që nuk po kapet, afrohet në një distancë rreth 30 metra nga hyrja e këtij hoteli, pret që të vijnë personat që ishin në shënjestër, afrohen me një automjet G-Class të blinduar. Është pikërisht ky momenti kur atentatori duket që mban një armë të gjatë, qëllon pikërisht xhamin duke rënë xhami i cili ishte modifikuar dhe në këtë moment pret sa të dali drejtuesi i automjetit që po afrohej pranë hyrjes së hotelit. Ka qëlluar në këtë moment, personat e përfshirë nuk e kanë kuptuar çfarë ka ndodhur sepse nuk ka patur një krismë, bëhet fjalë për një goditje me silenciator. Në momentin e parë që kanë parë shenjën e plumbit të traumatizuar të gjithë kanë bërë lëvizje kaotike, disa prej tyre duket sikur nxjerrin dhe armë. Duke qenë se janë disa persona aty, nuk dihet se kush ka qenë shënjestra. Personat më pas, të tmerruar nga kjo situatë, futen të gjithë në automjetin e blinduar për shkak se aty menduan që ishin më të sigurt, megjithëse furgoni i bardhë i modifikuar me dritare ku u qëllua me snajperin e dyshuar ishte larguar”, është shprehur Ferhati.
Nga ky atentat i para një jave ende nuk ka asnjë person të identifikuar nga policia si të përfshirë.