Google search engine
Home Sport Vllaznia rikthehet tek fitorja, ndikoi një gol i shpejtë i Hoxhajt

Vllaznia rikthehet tek fitorja, ndikoi një gol i shpejtë i Hoxhajt

0
153

Java e 5-të e Kategorisë Superiore do të mbyllet sot me duelin më të rëndësishëm, Kukësi-Partizani, skuadra që kanë objektiva madhorë por ndajnë pozita krejt të kundërta në klasifikim, sepse “demat e kuq” ndodhen në zonën e kryesimit, kurse kuksianët pas katër javëve të para s’kanë ende asnjë fitore, me vetëm dy barazime e dy humbje dhe në vend të fundit me dy pikë. Sot verilindorët duan fitoren e parë, në të kundërt rrezikojnë një krizë të gjatë e të dëmshme për objektivat sezonale. Ndërkohë, dje u luajt ndeshja midis Vllaznisë dhe Kastriotit, në kuadër të xhiros së pestë, një ndeshje e rëndësishme për të dy ekipet, fituar nga shkodranët 1-0 me një gol të shpejtë nga Ardit Hoxhaj, që mjaftoi për t’u dhënë kuqebluve tri pikë të vlefshme për pozitat në kryesim, sepse ngjiten në vend të tretë e kjo do të thotë shumë për trajnerin Mirel Josa.

Ndeshja

Në Shkodër pritej një kthesë e fortë pas humbjes së javës së kaluar dhe mbrëmë Vllaznia iu fal një goli të Ardit Hoxhajt për të mposhtur 1-0 Kastriotin në “Loro Boriçi”. Sulmuesit vlonjat i mjaftuan 39 sekonda lojë për të zhbllokuar takimin dhe për të gjetur golin e parë sezonal në Superiore. Asist i Esat Malës nga e djathta dhe finalizim i Hoxhajt, gol që i mjaftoi ekipit të Mirel Josës të siguronte suksesin e tretë në pesë javë kampionat. Vllaznia i është bashkuar përkohësisht Partizanit (luan nesër përballë Kukësit) në vend të dytë me 9 pikë. Kastrioti pati rastet e veta, por dështoi përballë Zogoviç. Skuadra e Emiliano Çelës mbetet në vend të shtatë me pesë pikë të grumbulluara. Kampionati kryesohet nga Erzeni me 11 pikë. Duelin e radhës në kampionat, Vllaznia e luan në “Niko Dovana” përballë Teutës, ndërkohë që Kastrioti viziton Egnatian në Rrogozhinë.

Josa: Me rëndësi ishte trepikëshi

Trajneri Mirel Josa tha pas ndeshjes se me rënësi për ekipin e tij në ndeshjen e djeshme në Shkodër ishte trepikëshi, gjë që skuadra e realizoi. Nga ana tjetër, ai vuri thekson në përmirësimin e lojës sidomos në mbrojtje. “Patëm fatin që të zhbllokonim rezultatin shumë shpejt. Kjo falë aftësive tona si të Malës, ashtu edhe të tjerëve që fituan topin jashtë zonës kundërshtare. Jam i kënaqur se është një skuadër që mbrohet mirë, gjë që ne nuk e kemi treguar në ndeshjet e tjera. Kemi pësuar shumë gola në momente dizekuilibri dhe sot pashë një ekip më të përqendruar. Duhej të bënim mirë në daljet para, jo se kemi punuar të luajmë në kundërsulm, por kur ke një skuadër si Kastrioti që ka treguar veten, duhej të ishim më të vëmendshëm në pasin e fundit dhe konkludimin. Jam dakord për përmirësimin e lojës së Gurishtës, personaliteti dhe rëndësia e tij në skuadër do të vijë duke u shtuar nga ndeshja në ndeshje, por është e rëndësishme që skuadra të kthehet te fitoret. Ndeshja e sotme merrte rëndësi të veçantë vetëm për fitimin e tre pikëve dhe lojtarët ishin të përqendruar vetëm te kjo. Por disa probleme i shfaqëm sot sidomos në mesfushë, nga mënyra si u bëjmë presion kundërshtarëve, por kur fiton 1-0, vërejtjet e shumta do i diskutoj më tepër me skuadrën”, theksoi Josa

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here