Sulmi është reparti që duhet të vendosë për kuqezinjtë në dy ndeshjet e
radhës në Ligën e Kombeve dhe trajneri Edi Reja e di mirë këtë. Dy fitoret
sjellin vendin e parë në grup, ndërkohë që trajneri italian preku disa tema
të ndryshme në prononcimin për shtypin dy ditë më parë, duke nisur nga mungesat e emrave si Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla. “Ndeshje
të vështira dhe tepër të rëndësishme për fatin tonë në këtë grup. Nuk duhet
të qahemi për mungesat, janë lojtarë të rëndësishëm, por duhet të luajmë
me bindjen dhe besimin për t’ia dalë, edhe pse e dimë që është e vështirë.
Duam të marrim maksimumin, duhet të besojmë deri në fund. Jemi në një
situatë emergjente, njësoj si ndaj Polonisë kur na munguan 7-8 lojtarë.
Më vjen keq, nuk na duheshin këto dëmtime përpara këtyre dy ndeshjeve, por jemi të gjallë dhe do provojmë shanset tona. Na mungojnë dy qendërmbrojtës, nuk kemi probleme në krahë. Hoxhallarin e shoh më shumë
si anësor të majtë, edhe pse e kam menduar edhe si qendërmbrojtës të
tretë. Të shohim si do jetë gjendja e gjithë lojtarëve”, tha Reja. Më pas,
duke qenë entuziast për rezultatin dhe duke besuar se Shqipëria ka ekip
të mirë që mund t’ia dalë, ai komentoi sulmin, repart nga varet objektivi.
“Tentoj të vendos në fushë një skuadër sa më të ekuilibruar, sigurisht
duke pasur fokusin nga mesfusha e lart. Bajrami po luan, por nuk ka
bërë super paraqitje, Çekiçi po bën mirë dhe realizoi një eurogol. Izraeli
ka një skuadër të shpejte dhe teknike, të jemi të kujdesshëm. Do të bëjmë
maksimumin në këtë ndeshje. Izraeli ka një skuadër të mirë. Të futemi në
fushë me agresivitetin e duhur, por kemi nevojë edhe për shumë personalitet. Harmonia ka qenë gjithmonë në këtë ekip. Nuk kemi treguar një
rendiment shumë të mirë në ndeshjet e kaluara, por ka lojtarë që nuk kanë
dhënë më të mirën sa i përket rendimentit”, shtoi Reja.








































