Tirana shkatërron Teutën dhe kthehet e frikshme në kryesim, durrsakët prekin fundin

0
118

Tirana u tregua dje një kampione e vërtetë, pasi korri fitoren më të madhe të këtij sezoni në këto ndeshje të para, duke mposhtur thellë 4-0 Teutën dhe duke u ngjitur në vend të dytë, fill pas Partizanit. Humbja e parë e Bledi Shkëmbit në stolin e durrsakëve duke marrë një sinjal të qartë se ka shumë punë përpara e do i duhet që të gjejë sa më parë çelësin e zgjidhjes së problemeve. Edhe pse durrsakët e nisën më mirë ndeshjen, me kalimin e minutave bardheblutë gjetën ritmin e duhur dhe filluan të ngacmonin më tepër në portën e Pano Qirkos. Hasani, Patrik dhe Xhixha nisën serinë e mundësive për shënim, por do të shpërbleheshin vetëm dy minuta para fundit të pjesës së parë. Një kundërsulm për katalog i bardhebluve u finalizua me një goditje potente nga distanca, nga Redon Xhixha, i cili shënoi një gol mjaft të bukur. Pjesa e dytë nisi me të njëjtën panoramë si e para, me Tiranën që shënoi dhe të dytin, me Patrik që nxori Hasanin të vetëm me portierin e durrsakëve duke shënuar dhe golin e dytë. Me avantazhin e dy golave gjërat ishim më të thjeshta për Tiranën, që priti momentin e duhur për të shënuar dhe golin e tretë. Ishte dita e Redon Xhixhës, i cili pasi provoi disa herë për të gjetur golin e dytë personal, ia doli në të 59-ën, duke realizuar një tjetër perlë. Në fund, pas ndërhyrjes së VAR, kryeqytetasit fituan të drejtën e një penalltie të cilën Xhixha e ekzekutoi saktësisht duke kompletuar tregolëshin personal. Tregolëshi i parë për 24-vjeçarin në Superiore teksa më parë ka shënuar pesë gola edhe në një ndeshje të Kupës ndaj Sopotit kur ende vishte fanellën e Laçit si dhe një tjetër tregolësh me Tiranën në ndeshjen e Kupës ndaj Shkumbinit. Katër gola për tre pikë për Tiranën, që shkon në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Teuta thellon krizën, teksa ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion të ri futbollistik dhe me vetëm 3 pikë në pesë javë “Djemtë e Detit” vijojnë lundrojnë në vendet e fundit të renditjes.

Xhixha: 3 golat me Teutën i fshij për një gol në derbi

Redon Xhixha ishte protagonisti kryesor i ndeshjes së sotme mes Tiranës dhe Teutës pasi shënoi 3 gola në suksesin 4-0 të bardhebluve. Por pas sfidës, ai tregoi për “Oversport” se ishte gati të falte tre golat për një të tillë në derbin e javës së 6 ndaj Partizanit. “Jam shumë i lumtur për fitoren dhe gjithashtu për golat që shënuam se e rëndësishme ishte fitorja. U futëm në fushë për të fituar dhe pastaj çdo gjë u bë më e lehtë me golin e parë dhe pastaj fituam ndeshjen. Çdo sulmues ka dëshirë të shënoj sa më shumë gola, edhe unë dua të shënoj sa më shumë. Por të fitojmë ndeshjen në radhë të parë e pastaj të vijnë golat. Sa i përket golave, profesori më thotë kur futesh në një kundër një pranë zonës, provo të godasësh se nuk është problem. Po nuk provove, nuk shënon. Te penalltia isha pak komod se ishte rezultati 3-0, i godas edhe në stërvitje ashtu. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, nëse do të ishte në minutat e fundit, ndoshta mund ta godas në mënyrë tjetër, nuk e di për këtë. Gol në derbi? Nëse do të ishte në dorën time do i kisha falur tre golat sot, nuk i doja dhe të shënoja në derbi”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here