Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë dje në pyetje Hervin Çulin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Çuli është marrë në pyetje për rolin e tij si drejtor i Teatrit Kombëtar. Për tre orë rresht, ai ka dhënë llogari para prokurorëve të posaçëm në rolin e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit të Teatrit Kombëtar. Nuk dihet ende se çfarë ka dëshmuar drejtori i TK para hetuesve të SPAK. Pritet që në vijim të zbardhen detaje rreth dëshmisë e rrëfimit të Çulit si dhe për rrjedhën që mund të marrin hetimet pas kësaj “interviste”. Hervin Çuli është fiksuar teksa ka dalë nga ambientet e SPAK me një çantë të zezë në dorë, ndërsa është duke folur në celular. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për shpërdorim detyre gjatë procesit të miratimit të vendimit dhe ekzekutimit të tij me finalizim prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar mëngjesin e 17 majit 2020. Hetimi nisi pas kallëzimeve të bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.
Ja si rrodhën ngjarjet dhe kur u shemb Teatri Kombëtar
Në mëngjesin e 17 majit të vitit 2022 u regjistrua një ditë e zezë për artin në Shqipëri. Ishte ora 04:30 e mëngjesit kur godina e Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental u rrethua nga fadroma dhe Forcat Speciale Policore, duke arritur qëllimin: rrënimin e ndërtesës historike në qendër të Tiranës. Lajmi u prit me protesta në shesh, të shoqëruara nga dhunë policore dhe dhjetra të shoqëruar, ku nuk munguan qytetarët e thjeshtë dhe as përfaqësuesit e partive politike. “Nuk mundem më! Shikoni si e kanë shqyer more!,”, lotët e aktorit Mehdi Malka bënë xhiron e rrjetit, njëjtë si pamjet e Kiço Londos. Kjo shembje nuk u ideua në 17 Maj, por kjo shembje rezulton e ideuar që në vitin 2002 në mendjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës së atëhershëm, Edi Rama, por që nuk u realizua dot për shkak të rezistencës së artistëve. Shembja u rikthye si temë diskutimi sërish në vitin 2018, atëherë kur Edi Rama ishte më i fortë, tashmë në pozitën e shefit të ekzekutivit shqiptar. Peticionin kundër shembjes e firmosën fillimisht të gjithë artistët me një zë të unifikuar, në sallën e Akademisë së Arteve por ishte ndërhyrja e politikës që bëri artistët të përçaheshin,e u ndanë në dy palë pro dhe kundër shembjes përmes peticioneve. Në krahun tjetër kryeministri Rama vijonte me përpikmëri planin e tij, ku tashmë kishte bërë gati dhe kishte prezantuar në kryeministri projektin e Teatrit të Ri me arkitektin e njohur Bjarken Ingels. Plani ishte që teatri do të ndërtohej me Partneritet Publik Privat, gjë e cila hasi në kundërshtinë e hapur artistëve. Në funksion të realizimit të shembjes dhe ndërtimit me PPP të teatrit, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin e teatrit nga kompani private “Fusha”.
Ndërtimi i Teatrit me fond publike
Një muaj përpara shembjes kompania “Fusha” u tërhoq nga gara dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohej me para publike. Me një vendim qeverie teatri i kaloi Bashkisë dhe me një vendim të këshillit Bashkiak të mbajtur online në kushtet e pandemisë u vendos shembja e Teatrit Kombëtar, e cila u realizua në mënyrë tinëzare në orët e vona të natës së 17 Majit 2020, duke finalizuar në këtë mënyrë përpjekjen 20 vjeçare të kryeministrit Rama për të përmbushur egon e tij personale. Pas shembjes, përveç protestave qytetare nisi edhe nënshkrimi i një peticioni nën moton e famshme italiane ‘Com’era, dov’era’, për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte siç ishte por duke ndrequr gabimet e te shkuarës apo materialet e përdorura. 16 mijë persona firmosën peticionin online por planet për projektin e arkitektit Bjarke Ingels vazhdojnë dhe kryetari i bashkisë Veliaj dhe kryeministri Rama thonë se projekti danez do të jetë ai që do të zbatohet.










































