Kryeministri Albin Kurti e la sërish përgjysëm sot konferencën për media. Ai doli bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa gazetarët ishin duke pritur për rreth një orë.
Konferenca u paralajmërua pas mbledhjes së Qeverisë, por ora nuk u bë e ditur. Gazetarët kishin shumë pyetje e kur nisën të merrnin fjalën një nga një, kryeministri tha:
“Ja.. nuk… për besë e kam të pamundur. Më duhet me shku edhe po e vërej një lloj organizimi”, tha Kurti.
Pas kësaj, kur përfundoi së përgjigjuri në një pyetje, ai tha se duhet të shkonte “me shpejtësi” dhe se s’mund të qëndronte.
“Faleminderit shumë e më vjen keq që duhet të shkoj me shpejtësi sepse nuk mund të qeveris në telefon prej kësaj foltoreje”, tha kryeministri.
Në të njëjtën mënyrë, Kurti e la konferencën për media ditën e djeshme pasi iu desh të udhëtonte drejt Tiranës, për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama.