Liga e Kampioneve u kthye mbrëmë në duelet e xhiros së dytë të saj, në fazën e grupeve, ku padyshim pati përplasje interesante dhe emocione të shumta. Në kuadër të grupit C, që është njëherësh edhe grupi i “ferrit”, kryendeshja e mbrëmshme ishte ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Barcelonës, një takim që në pjesën e parë nuk prodhoi gola dhe pati pak a shumë në lojë të barabartë. Diferenca e gjermanëve ndodhi në pjesën e dytë, ku brenda 9 minutash nga nisja e kësaj pjese Bajerni shënoi dy gola dhe përmbysi të gjitha parashikimet që shihnin një Barcelonë më të fortë në këtë duel. Me një tredhëmbësh të fuqishëm Dembele-Rafinja-Levandovski, Barcelona tentoi ta fitojë këtë duel, por gjermanët në fushën e tyre rrallë “rrëshqasin”. Hernandez u shërbye mirë nga Kimiç dhe realizoi golin e parë në minutën e 50-të, kurse në minutën e 54-t i erdhi radha Leroi Sane. Ky dygolësh i dha Bajernit superioritetin moral dh eta menaxhojë epërsinë në aspektin psikologjik, kurse Barcelonës ia “preu gjunjët”. Edhe pse katalanasit u përpoqën, nuk ia dolën e Bajerni fitoi 2-0 dhe mori kryesimin. Po në grupin C, Interi siguroi fitoren e parë, pasi mundi në transfertë Viktoria Plzen pastër 2-0. Ndërkohë, në grupin A, ndeshja Napoli-Rejnxhërs ishte e shtyrë për shkak të vdekjes së mbretëreshës në Angli, por po në këtë grup, Liverpuli priti Ajaksin. Anglezët fituan “in extremis” me shifrat 2-1. Në grupin B, që është gjithashtu një grup i fortë, Klub Bruzhi belg shkatërroi në transfertë Porton me rezultatin 0-4, dhe mori kryesimin me 6 pikë. Po në këtë grup, Leverkuseni priti Atletiko-Madridin, ndeshje që përfundoi me fitoren e gjermanëve 2-0. Në grupin D, Totenhemi pësoi disfatë ndaj Sportingut të Lisbonës, 2-0, kurse Marseja priti Eintrahtin e Frankfurtit, ndeshje që e fituan gjermanët 1-0.