Ai ishte dje në duelin kundër Reality të Madridit padyshim pika më e fortë e Majorkës dhe autori i golit të parë e të vetëm të skuadrës së tij ndaj “Los blancos”,, por fati nuk ishte me të që ta fitonte duelin. Gjithsesi, loja dhe goli i mjaftuan që të vlerësohej shumë lart nga media sportive në Spanjë. Kështu, Vedat Muriqi realizoi një gol të bukur me kokë, por që nuk mjaftoi që ekipit i tij, Majorka të dalë me pikë nga “Santiago Bernabeu”. Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 4:1 ndaj Majorkës në kuadër të javës së pestë në La Liga. Se kjo do të ishte një ndeshje e mirë për Muriqin, u pa qysh në sekondat e para të takimit, kur sulmuesi kosovar e kaloi me lehtësi Rudigerin për të plasuar një goditje e cila u ndal nga Kurtua. Ishte minuta e 35-të kur Muriqi realizoi për 0:1 një gol të bukur me kokë, pas një asistimi nga Li. Ky ishte goli i tretë këtë edicion për sulmuesin shtatlartë, pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Por, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Valverde me një gol fantastik nga distanca barazoi shifrat. Në pjesën e dytë, Real Madridi mori tërësisht situatën nën kontroll. Goli i përmbysjes së rezultatit erdhi në minutën e 73-të, kur realizoi Vinicius Junior. Për shifrat 3:1 u përkujdes Rodrigo në minutën e 89-të. Krejt në fund të ndeshjes Antonio Rudiger shënoi për epilogun e këtij takimi, Real Madrid 3, Majorka 1. Me këtë fitore, Real Madridi shkon në kuotën e 15 pikëve në vendin e parë, kurse Majorka mbetet e 13-ta me pesë pikë nga pesë ndeshje. Ndërkohë, nga Sofaskore, Vedat Muriqi mori notën më të lartë nga ekipi i tij. 28-vjeçari u vlerësua me notën 7.4. Në javën tjetër në La Liga, Real Madridi do të ketë punë me rivalin lokal, Atletiko Madridin, kurse Majorka e pret në shtëpi Almerian.





































