Partizanin e marrin “sysh” dhe dje u ndërpre ecuria e fitoreve radhazi që kishte siguruar në tri xhirot e para të Kategorisë Superiore, duke pësuar kështu humbjen e parë e si të mos mjaftonte kjo, e pozon me një debutues si Erzeni e më keq akoma Partizani ishte pritës në këtë duel. Humbja shokoi të kuqtë, që kishin një shans të artë të shkëputeshin në kryesim, por Erzeni i Shijakut i befasoi, u mori tri pikët e madhe iu “qep” Partizanit në renditje, sepse ka tani 8 pikë, një më pak se “demat e kuq”.
Ndeshja
Erzeni mund Partizanin, diçka që as mendohej e besohej para ndeshjes, por ja që është e vërtetë. Pikërisht në ndeshjen e fundit të javës së katër të Superiores mposhti 0-1 në “Elbasan Arena” Partizanin, që kishte marrë tri fitore radhazi në start dhe kryesonte bindshëm renditjen. Të besuarit e Xhevahir Kapllanit bënë atë që askush nuk e priste: mposhtën edhe “Demat”, që pavarësisht kësaj disfatë, mbeten në krye të Superiores me 9 pikë. Golin e vetëm të këtij takimi të zhvilluar në “Elbasan Arena” e shënoi braziliani Notato që në minutën e 12-të, duke i dhënë një trajektore të çuditshme topit të krosuar nga Peposhi. Partizani kishte thuajse 80 minuta për të kthyer rezultatin, por të kuqtë nuk i shfrytëzuan rastet e shumta që krijuan me Skukën apo Romeron. Përfundimisht 0-1 në stadiumin e Elbasanit, me Erzenin që forcon pozitat në vendin e dytë me 8 pikë, një më pak se Partizani. Gjithashtu skuadra shijakase mbetet e vetmja pa pësuar humbje në katër javët e para. Kjo tregon shumë për një skuadër që është ngjitur në elitë këtë vit, por që ka ditur të ndërtojë një skuadër të fortë, një grup që i vë në vështirësi të gjitha skuadrat dhe ajo që është e habitshme është se ka mposhtur dy skuadra pretendente deri tani, Vllazninë dhe Partizanin e ky është një tregues shumë domethënës për ecurinë e garës, pasi me këtë kontigjent e me këto rezultate, Erzeni mund të lakmojë pse jo edhe të kapë një vend si pjesëmarrës në Conference League sezonin tjetër.
Laçi në krizë të plotë, Bylis i merr 3 pikë në Kurbin
Një tjetër befasi ndodhi dje, përveç asaj të Partizanit që u mund në Elbasan nga Erzeni. Një tjetër skuadër e ngjitur këtë vit në Superiore, Bylisi, shkon në Kurbin e mund Laçin 1-0, duke shkaktuar një surprizë të bukur, por njëherësh duke e zhytur në krizë ekipin kurbinas. Përmbledhtas mund të thuhet se Laçi-Bylis është mbyllur me rezultatin 0-1, me ballshiotët që triumfuan në shtëpinë e kurbinasve. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me barazim pa gola, ndërsa u desh një orë e plotë lojë që të realizohej goli i vetëm dhe vendimtar i fateve të kësaj përballjeje. Ishte Trumçi ai i cili gjeti rrugën drejt rrjetës dhe i dhuroi tre pikët e njëkohësisht vendin e dytë në renditje Bylisit. Pas javës së katërt të Kategorisë Superiore Laçi vuan në vend të tetë me vetëm tre pikë të grumbulluara, teksa Bylisi renditet i dyti me 7 pikë, dy më pak se Partizani i vendit të parë, por me kryeqytetasit që numërojnë një ndeshje më pak. Dy javët në vazhdim të kampionatit do të jenë befasuese sepse ka përplasje të skuadrave të mëdha me njëra-tjetrën.
Java 4
Të premten
Teuta-Kukësi 0-0
Të shtunën
Egnatia-Vllaznia 3-0
Kastrioti-Tirana 0-0
Të dielën
Laçi-Bylis 0-1
Partizani-Erzeni 0-1
Renditja
1.Partizani 9
2.Erzeni 8
3.Bylis 7
4.Egnatia 6
5.Vllaznia 6
6.Tirana 5
7.Kastrioti 5
8.Laçi 3
9.Teuta 3
10.Kukësi 2





































