Atleti 20-vjeçar i Kosovës, në hedhjen e gjyles, Muhamet Ramadani, të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në hedhje të gjyles në Kampionatin Mesdhetar U23 të atletikës, në Peskara të Italisë. Hedhjen më të mirë e kishte 19.13 metra. Vetëm dy centimetra më larg gjylen e gjuajti turku Alperen Karahan që fitoi të artën. Ndoshta më shumë se medalja, rëndësi për Ramadanin ka hedhja e gjyles më larg se 19 metra. Kalimi i “kufirit” prej 19 metrave ka kohë që ishte synim i atletit mitrovicas dhe prindit e babait të tij, Shaban Ramadani. Më 1 maj të këtij viti, Ramadani kishte vendosur rekord të Kosovës me hedhje prej 18.72 metrash. Rekordin e kishte vendosur në Tivar. Rekordi i mëhershëm i tij ishte 18.60 metra. Rekordin personal nuk e arriti në Lojëra Mesdhetare dhe në Evropianin për seniorë, por tani ka vendosur rekord të ri të Kosovës që është 19.13 metra. “Jam shumë i kënaqur për medaljen. Vërtetë kemi punuar shumë për të ardhur deri këtu dhe mund të them që medalja nuk është e rastësishme. Këtë herë isha vetëm dy centimetra larg fituesit, por jam optimist për përmirësime të mëtejme. Përvoja në Lojërat Mesdhetare dhe në Evropian më ka shërbyer shumë”, tha Ramadani.





































