Ish-presidentit Ilir Metaj duket se i janë hapur të tjera telashe sa takon aferës 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump më 20 janar të vitit 2017. Pak ditë më parë ish-deputeti Halit Valteri, kallëzoi në SPAK presidentin Metaj në lidhje me këtë aferë, Ndërkohë që dje ai ka nxjerrë në dritë të tjera fakte nga ky skandal. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, ish-deputeti Valteri u shpreh se beson te drejtësia e SPAK-ut mbi të gjitha sepse ka fakte për abuzimet që ka bërë Ilir Meta. Madje, Vlateri theksoi se gjatë kohës që ka qenë në pushtet, ish-presidenti ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim. Sipas tij, shifra shkon në mbi 1 milonë euro. “Janë rreth 1.2 milionë euro të harxhuara nga partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kemi të bëjmë me kontrata lobuese prej 690 mijë eurosh me një kompani lobimi amerikane e cila ushtron aktivitetin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kryen shërbime të ndryshme për politikanë të ndryshëm nga e gjithë bota”, deklaroi ish-deputeti. Ndërkohë zoti Valteri, theksoi se disponon të gjitha kontratat ku ka firmosur dhe vetë Ilir Meta, sepse nëse provat nuk do të ishin serioze nuk do të bënte as padinë. Sipas Valterit, Meta pagoi për takime dhe telefonata në Amerikë, ndërsa pagesat nuk janë të deklaruara asgjëkundi.
Valteri: Metën e pret burgu
Ndërkohë ish-deputeti Halit Valteri, akuzoi pak ditë më parë gjatë një debati televiziv se Ilir Metën për korrupsion dhe sipas tij, e pret burgu. “Kanceri i Shqipërisë është LSI dhe Ilir Meta. E vetmja gjë që e pret Ilir Metën është burgu dhe vetëm burgu”, u shpreh ai. Por këto deklarata janë kundërshtuar nga Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë e Lirisë, Floida Kërpaçi, e cila u shpreh se Meta ka fituar çdo betejë ligjore. “Ilir Meta i ka fituar të gjitha betejat. Deklaratat e tua janë vetëm gënjeshtra”, deklaroi Kërpaçi.
Metaj-Kryemadhi akuzohen për pastrim parash
Ndërkohë në kallëzimin që Valteri ka bërë në SPAK dhe që gazeta e disponon të plotë, ish-deputeti hedh akuza të forta në adresë të presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët sëbashku me dy persona të tjera i akuzon se kanë kryer disa vepra penale, sikundër janë korrupsionit, deklarimi i rremë, evazion fiskal dhe pastrim parash. “Objekti: Kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj shtetasve të sipërpërmendur, për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/b i K.Penal; “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” parashikuar nga neni 181 i K.Penal; “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal”, thuhet në padi.






































