Parisi mund Juventusin me dygolëshin e Mbape, shkëlqejnë Dortmundi e Siti, ngec Milani

0
133

Mbrëmë startoi edicioni i ri i grupeve në UEFA Champions League, ku u luajtën takimet e para në katër grupe, e që prodhuan jo pak emocione dhe rezultate surprizë. Padyshim, duelet e grupit H janë me interes të veçantë, pasi në grup ndodhen dy skuadra shumë të fuqishme si Paris Sa Zhermen e Juventus, e që mbrëmë kishin përballjen e tyre të parë midis tyre. Në stadiumin francez ishin pikërisht vendasit që e nisën ndeshjen me shumë vrull, ku Kilian Mbape shënoi dy gola brenda pak minutash, fillimisht i asistuar nga Nejmar e më pas nga Hakimi. Mbape shënoi në minutën e 5-të dhe të 22-të, duke e vënë fitoren e PSGsë në shinat e duhura. Por kur përballë ke një skuadër si Juventusi nuk duhet të jesh asnjëherë i qetë, pasi “Zonja” ka staturë të fortë ndërkombëtare, një skuadër me eksperiencë dhe që po përpiqet të rigjejë potencialin e saj edhe në Champions League. Gjithsesi, dominimi i Paris SG ishte i dukshëm dhe fraksioni i parë i ndeshjes mbyllet 2-0. Në fillimin e pjesës së dytë për italianët ngushtoi MekKenie që tregoi se është lojtar i perspektivës dhe e rifuti skuadrën në lojë për të marrë pikë. Pjesa e dytë nuk e pati ritmin e së parës, pasi skuadrat luajtën me kujdes në mbrojtje dhe Juventusi e balancoi mjaft lojën e vet në fushë, duke barazuar edhe treguesit sportivë. Por në fund, fiton Paris San Zhermen me rezultatin 2-1. Po në grupin H, Benfika mundi 2-0 izraelitët e Makabit Haifas. Surprizën e mbrëmjes dje e bëri Dinamo e Zagrebit, në grupin E, që mposhti në Çelsin 1-0, një rezultat ky që befasoi jo pak duke pasur parasysh diferencat midis dy skuadrave. Po në grupin A, Milani luajti në transfertë me Salzburgun, duke barazuar 1-1. Në grupin F, Reali fitoi në transfertë me Sëlltikun 3-0, kurse surprizën e bëri Shakhtari që mposhti Leipzigun 4-1. Ndërkohë, në grupin G, ra në sy fitorja e thellë e Dortmundit ndaj Kopenhagenit, 3-0, e po në këtë grup, fitorja bindëse e Mançester Sitit ndaj Seviljes në fushën e kësaj të fundit, me rezultatin 4-0, ku shkëlqeu Erling Haland.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here