Kategoria Superiore ka luajtur ndeshjet e para të saj, por do të duhet ende kohë për të parë se kush janë favoritët për titullin e cilat do të jenë skuadrat që do të rivalizojnë për mbijetesë. Pra, kampionati po vijon dhe java e tretë u mbyll pa shumë surpriza, me përjashtim të faktit se Partizani, mban kryesimin pas 3 xhirosh, me 9 pikë të plota, një start mjaft emocionues për ekipin e kuq që me këtë ritëm shfaqet vërtet si një pretendent serioz për titull dhe natyrisht një skuadër që ka objektiv të qartë trofetë sezonalë. Partizani ka bërë merkato dhe pavarësisht se ka pasur mjaft largime të lojtarëve cilësorë, “demat” kanë ditur të afrojnë në merkato lojtarë që bëjnë diferencën dhe besohet se janë të kompletuar në çdo repart. Koha mund të shohë se ku mund të ndërhyhet dhe merkato e dimrit që vjen përpara do t’ua japë shansin të bëjnë ndërhyrjet e duhura në treg, për ta përforcuar dhe më tej grupin për sezonin në vijim. Por ndërkohë, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes fakti që pati dhe largime të rëndësishme, midis të cilëve edhe mbrojtësi Egzon Belica, i cili u konsideruar humbje për tifozerinë por klubi i ndau rrugët me mirëkuptim me të dhe futbollisti tani po kërkon skuadër të re. Për të ka pasur oferta nga klubet elitare të Kosovës, por në skenë ka dalë edhe Tirana, e cila sheh një lojtar të rëndësishëm për organikën e saj.
Belica, ose me Prishtinën, ose me Tiranën
Raportohet nga mediat sportive në Kosovë se mbrojtësi Egzon Belica është shumë pranë firmës me skuadrën e Prishtinës. Burime për bëjnë me dije se ish-mbrojtësi i Partizani ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën e tij në Kosovë, ndërsa ka kohë që palët janë në bisedime. 31-vjeçari kalon te Prishtina me parametra zero, pasi pak javë më parë ndërpreu me konsensus kontratën me Partizanin. Për mbrojtësin ka pasur oferta edhe nga Vllaznia e Shkupi. Belica u transferua te “Të kuqtë” në janarin e vitit 2018, duke kaluar 4 edicione e gjysmë me fanellën e Partizanit. 31-vjeçari arriti që të fitonte titullin kampion dhe një Superkupë Shqipërie, duke qenë protagonist absolut, pasi ishte një titullar fiks në formacionin e kryeqytetasve.
Fitorja e fundit në Ballsh ndaj “ish”-ëve të kuq
Murataj, Hadroji dhe Preka janë “ish”-ët e Bylisit, që kanë qenë pjesë e mallakastriotëve, ku dhe u pikasën si talente e që tani luajnë me Partizanin, me ambicie për të qenë skuadër kampione. Ndërsa nga Bylisi Aleksandër Damçevski ka qenë një sezon më parë pjesë e të kuqve. Aldo Teqja, ish-gardiani i të kuqve, një javë më parë e nisi nga stoli dhe zëvendësoi Haremin, që u dëmtua gjatë ndeshjes. Duhet thënë se në aksin Ballsh-Tiranë, lëvizja e lojtarëve ka qenë me sa kuptohet me dakordësinë e krerëve të klubeve, një situatë pozitive po të mendosh që lojtarët e talentuar të Bylisit, sidomos të rinjtë që dalin nga ekipet kombëtare të moshave dhe luajnë me Shpresat, sikurse Marcelino Preka, tani kanë veshur fanellën e kuqe të Partizanit dhe bëjnë kështu një hap të mirë në karrierën e tyre, duke lakmuar që Partizani të shërbejë për ta si trampolinë drejt një kampionati të huaj.