Shfaqja teatrore “Vagon” për dy net me radhë do të jetë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shkruar dhe me regji nga Naser Shatrolli vepra teatrore vjen nën interpretimin e aktorëve Neritan Liçaj dhe Altea Alushi të premten dhe të shtunën. Regjisori Shatrolli thotë se shfaqja “Vagon” ka pasur deri tani edhe vlerësimin e kritikës. “Unë jam regjisor dhe autor i pjesës, ndërsa shfaqja mund të numërohet si rikthim dhe ripërtritje publike. Ka pasur goxha interesim dhe kritika të mira nga emra të përveçëm të kulturës shqiptare. Është shfaqje moderne, në të gjitha kuptimet, që dallon esencialisht nga projeksionet e tjera të formuluara në Tiranë”, shprehet regjisori Naser Shatrolli për këtë vepër teatrore, që më 2 dhe 3 shtator do të jetë në skenën teatrore për publikun. Si autor dhe regjisor Naser Shatrolli është i njohur me aktivitetin e tij teatror, ku nuk ka munguar më parë me shfaqjet e tij në skenat e Tiranës. Për veprën teatrore “Vagon” që do të rikthehet dy net në skenë për publikun ai tregon edhe për krijimin e saj. “Teatër kontemporan, i dizajnuar mes veprimit dhe mendimit të thellë psikologjik. “Vagon” është krijuar dhe shkruar për rrethana ballkanike”, shprehet mes të tjerave Shatrolli në një reagim të tij për këtë vepër që ka qenë më parë premierë në skenë për publikun, por që rikthehet këto dy net shtatori.
Pas Tiranës në Suharekë
Vepra teatrore “Vagon” pas skenës së Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivigli” në Tiranë do të jetë dhe në një tjetër festival teatror. Regjisori Naser Shatrolli shprehet se më pas do të jetë në Suharekë. “Më datë 4 shtator hapim perdet e festivalit të teatrove në Suharekë”, bën me dije regjisori. Shkruar dhe me regji nga Naser Shatrolli, ”Vagon” përkon me dinjitetin e kultit të individit në relacione familjare. Në kuptimin filozofik ”Vagon” thërmon grimca atomi mbi kujtesën para së gjithash. Është dramë filozofike, që rrugëton nëpër binarët e lidhjes së popujve të rajonit Ballkanik. Shfaqja është format kontemporan, e shtruar mbi rrotat e vagonëve të zbrazur, ndërsa, në domeini ideor, ngacmon drejtpërdrejtë nervat e njeriut të vetmuar në rrethana tranzicioni. Drama ka dy personazhe që kërkojnë pronësinë e një vagoni! Kush do ta fitoj betejën e vagonit, do ta kuptojmë në natën finale të shfaqjes. Regjisori Shatrolli më herët ka shprehur për këtë vepër teatrore se aty ka dhimbje, dashuri, gëzim, hidhërim, lidhje, ndarje, konsum historik, që mund të përkthehet në kontekst kohe si relikt kujtese, nga e shkuara deri më sot, ndërsa ndalesën e gjejmë në shfaqje. Asistente e regjisurës Anxhela Gaxhazi, kompozitor Drinor Zymberi, skenograf Mentor Berisha, kostumografe Laedia Hajdari dhe producent Eni Picalli.








































