Struktura kryesore e Inteligjencës dhe Shërbimit të Sigurisë në Shqipëri (Shërbimi Informativ Shtetëror – SHISH), do të ketë një drejtor të ri të komanduar në krye të saj.
Kjo, pas largimit të drejtuesit të SHISH-it Helidon Bendo drejt Shteteve të Bashkuara për një periudhë 12-mujore.
Lajmi u bë i ditur fillimisht nga gazetari i transmetuesit “Top Channel”, Muhamed Veliu duke cituar në kushte anonimati një zyrtar të SHISH-it.
“Albanian Post” ka mësuar se ai është zëvendësuar përkohësisht nga ish-Drejtori i Kundërzbulimit me iniciale A.L, duke cituar një burim në kushte anonimiteti nga inteligjenca shqiptare.
Sipas tij, kalimi i drejtimit të SHISH-it është bërë pa një shkresë zyrtare, për arsye që ende nuk bëhen të ditura.
Sakaq, për arsye që lidhen me sigurinë dhe ndjeshmërinë e çështjes AP-ja nuk mund të publikonte emrin e plotë të zyrtarit shqiptar.









































