Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko, ka komentuar situatën politike dhe atë brenda PD. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Roland Bejko u shpreh se Sali Berisha lejoi që të futeshin ish-sigurimsa në politikë. Sipas tij, dosjet janë përdorur në duart e kryetarëve të partive, kryeministrave apo presidentëve. Madje, ai theksoi Berisha e ka instrumentalizuar çështjen e dosjeve, duke mos bërë diçka serioze, por duke lejuar që në sistem të futeshin dhe bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.
-Partia Socialiste ka ndërmarr nismë për dekomunistizimin dhe është e vendosur që ta çoj deri në fund. Si e shihni?
Mendoj se nuk i takonte Partisë Socialiste ta ndërmerrte këtë, por Partisë Demokratike, e cila ka të drejtë që të ndërmarr nisma të tilla. Pastaj duhet që të shohim produktin në fund nëse është kryer si gjueti shtrigash meqenëse kemi të bëjmë në rastin konkret me një person që ka qenë ish-president, ish-kryeministër dhe një kryetar partie apo e bëjnë sepse realisht ka ardhur koha që Shqipëria të ndahet njëherë e mirë nga e kaluara. Do doja shumë që Partia Socialiste të kishte arsye të kësaj nisme këtë të dytën, sepse Partia Socialiste si pasuese e Partisë së Punës të jetë ajo që ta kryej këtë nismë sepse ende nuk kanë kërkuar ndjesë për krimet që ka bërë komunizmi në Shqipëri. Askush nuk e ka bërë këtë, s’më kujtohet që ta ketë bërë dikush, ndoshta Edi Rama diçka ka artikuluar kur kishte një lloj trendi si antisistem, por që në memorien kolektive nuk është se ka lënë gjurmë.
-Janë 32 vite që flasim dhe sidomos demokratët flasin dhe takohen me ish- të përndjekur dhe gjithë kohës artikulohet hapja e dosjeve dhe në fund nuk ndodh asgjë?
Kam ca kohë që dua të kaloj përtej gjuhës së drunjtë në fakt për të të disa të vërteta që na i dikton historicizmi, madje janë të vërteta ulëritëse që publiku shqiptar duhet që ti dijë, dosjet janë përdorur në duart e kryetarëve të partive, të kryeministrave, të presidentëve, zoti Sali Berisha e ka përdorur qartazi këtë instrument për të mbajtur në kontroll partinë, atë që ne e krijuam si Parti Demokratike dhe ku shpresuam që brenda Partisë Demokratike do të kishte diversitet mendimesh, do të respektohej fjala e lirë, individi dhe do të bëhej një parti moderne, por jemi 30 vite më vonë dhe ashtu si Berisha e ka instrumentalizuar çështjen e dosjeve duke mos bërë diçka serioze, por duke lejuar që në sistem të futeshin edhe njerëz të cilët kanë qenë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit. Zoti Berisha e ka pasur në kontroll të gjithë arkivën shtetërore të të gjitha niveleve sepse ka qenë i plotfuqishëm, imagjino ka qenë presidenti i vendit dhe drejtonte edhe Partinë Demokratike. Zoti Berisha si një lider autoritar i është dashur gjithmonë që ta mbante partinë nën kontroll nëpërmjet dosjeve dhe dosjet nuk janë vetëm të një karakteri, por kanë qenë edhe dosje të tilla të korrupsionit dhe njerëz që kanë precedentë të korrupsionit zoti Berisha kur i është dashur i ka anatemuar ia ka nxjerr dhe ia ka përmendur dhe kur nuk i është dashur i ka mohuar dhe ka bërë sikur ato nuk kanë ekzistuar. Në Partinë Demokratike ka ndodhur gjithmonë ky proces, gjithmonë kanë luftuar elitat paraardhëse, domethënë janë vendosur në shërbim të kryetarit dhe kanë përjashtuar flukse të ndryshme elitash. U përjashtua fluksi ’92-shit dhe personazhi që e laçoi përjashtimin e tyre ishte Eduard Selami, dy vite më vonë ishte viktimë e këtij përjashtimi vet Eduard Selami dhe kështu ndodhi me radhë edhe më të tjerët. Është ndryshe pastaj si ndodhi pas vitit 2005 me personazhe të dorës së dytë të cilët i solli Berisha dhe më pas ata u larguan pa lënë gjurmë sepse kështu erdhën në parti pa histori dhe pa asnjë meritë. Pra e thash që dosjet janë përdoru në politik dhe nuk besoj të paktën për kohë sa kemi një elitë të njëjtë politike në vend që të çoj të drejtën historike në vend.
-A janë dosjet ende aty, apo edhe mund të jenë zhdukur një pjesë e tyre?
Me këto që kemi dëgjuar nga njerëz që kanë informacione dosjet janë të manipuluara, një pjesë e tyre janë zhdukur, ndërsa një pjesë tjetër janë fshirë, sepse ka kaluar një kohë shumë e gjatë, por thuhet se ka pasur edhe një dorë që aty nga vitet ’90 ndërkohë që të gjithë ishin duke u marr me atë zhurmën politike për ndryshimin e sistemit ka bërë kopjet e duhura dhe i ka çuar në vendin e duhur. Në Shqipëri është bërë mirë dhe kanë ecur ato institucione apo ato procese, të cilat kanë pasur një kallauz të fortë sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe politikanët shqiptar vetëm e kanë vjedhur vendin, i kanë shpërbërë pronat dhe asete i kanë kalkuar në klanin e vet, nuk them se s’është bërë asgjë deri më tani, por që nuk është aty se ku duhet që të ishte.
-Sipas jush, dosja e pretenduar e zotit Ilir Meta mund të ketë ardhur edhe përtej oqeanit si është diskutuar shumë?
Do ta shohim, koha do të jetë ajo që do ta tregojë këtë më shumë, nëse do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e kanë linçuar këtë lloj lajmi që Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Mendoj se ky do të jetë një lajm i mirë për politikën shqiptare dhe një lajm i keq për vet Ilir Metën dhe po ashtu edhe për ata persona të cilët e mbështesin atë. Në rast se ai lajmi është i vërtetë, për Ilir Metën mund të them se ai është një personazh që e ka ezauruar kohën e tij dhe duhet që të largohet nga politika. Është me e rëndë ti thuash një njeriu spiun sesa non grata, pasi non grata është një çështje e diskutueshme e cila i përket një vendi tjetër. Opinioni im është që Berisha edhe nëse nuk do ishte non grata nuk duhet që të ishte në krye të Partisë Demokratike dhe ai nuk do të jetë më kurrë kryeministër i këtij vendi. Unë jam shumë për një rotacion në politik, të gjithë ata që kanë drejtuar vendin janë përgjegjës që Shqipëria është këtu ku është sot.
-Pak ditë më parë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i bëri thirrje drejtësisë për çështjen “non grata”. Si e shihni këtë kur PS ka pasur edhe funksionar të lartë si Vangjush Dako apo Tom Doshi që janë shpallur non grata?
Para se të bëhet ky ligj për non gratat, nëse do të bëhet gjithmonë kujtojë se është bërë një ligj më para për dekriminalizimin dhe kur Basha dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk e menduan se brenda Partia Demokratike do të kishte njerëz që u prekën nga ai ligj, por kjo nuk do të thotë se ti nuk mund ta bësh këtë ligj dhe Partia Socialiste një pjesë i ka prapa hekurave për shkak të ligjit të dekriminalzimit. Ky ligj mendoj se është i domosdoshëm dhe duhet që të bëhet, sepse duhet që të ecim paralelisht me partneritetet ndërkombëtare. Në Shqipëri kjo elitë politike nuk mund të shpresoj që të ndërrohet nga krijimi i një projeksioni të ri politik tërmeti i madh nëse do të ndodh do të ndodh vetëm nëpërmjet drejtësisë që duhet që ti jap të gjithëve atë që ata meritojnë. Por, kjo drejtësi nuk më ka dhënë ende provat e besueshme që kjo do të jetë ajo drejtësia që do t’i kthej shqiptarëve atë që u duhet shumë një shtet të drejtë. Nëse një qeveri bie moralisht është e rrëzuar, pra humbet legjitimitetin, legjitimiteti fillon tek morali. Aspekti dytë është që askush nuk ia ka kryer këto afera të mëdha pa firmën e kryeministrit dhe pa firmën e qeverisë. Por, si mund të ketë ministri përgjegjësi për aferat e mëdha dhe nga ana tjetër kryeministri i këtij vendi nuk mban asnjë përgjegjësi dhe thotë se është personale përgjegjësia.
-A duhet që të ishin pjesë e hetimit edhe në Shqipëri personat që akuzohen për korrupsion madhor nga SHBA?
Unë thash që drejtësia nuk është aty ku duhet në Shqipëri. Personat që janë shpallur non grata nga vende si SHBA dhe Britania e Madhe dhe nga vende evropiane do të thotë se ka diçka shumë serioze pastaj se ne na mungon drejtësia dhe nuk kemi institucione nuk mund të themi që ata e kanë gabim se i kanë shpallur “non grata”.
-Gjatë kësaj fundjave ish-kryeministri Sali Berisha, zbuloi se kryetari i ri i grupit Parlamentar të Partisë Demorkatike do të jetë Luçiano Boçi dhe jo Enklejed Alibeaj. Keni një koment?
Berisha e ka kuptuar që pa Grupin Parlamentar është jashtë politikës, në rrugë. Opozita ka disa detyra kushtetuese që duhet t’i realizojë brenda parlamentit. PD-ja është në duart e Berishizmit. Berishizmi është një mënyrë e kamufluar e punizmit e cila sundon brenda një partie politike. PD-ja vazhdon të drejtohet nga punizimi i përfaqësuar nga zoti Berisha. Berishës po i dole kundra të përjashton, kur të përjashton të anatemon. Të vë etiketa, je bashkëpunëtor i kundërshtarit politik, i shitur. Evidenton armiqtë, me qëllim që të mbajë pjesën e militantëve.
-Keni një recetë si mund të bashkohet Partia Demorkatike?
Unë po ju them këtë. Nëse zoti Berisha largohet që nesër, menjëherë fillon bashkimi i Partisë Demokratike dhe ajo që këta e thonë, por nuk e bënë, rithemelimi i partisë. Partia Demokratike ka nevojë të rithemelohet, të ndërtohet mbi bazën e një filozofie të re, të shkëputet nga berishizmi. Një gjeneratë tjetër duhet ta marrë Partinë Demokratike dhe ta çojë përpara.





































