Google search engine
Home Sport Merkato e Superiores/ Kukësi s’ndalet me blerje, edhe Partizani rrit pretendimet

Merkato e Superiores/ Kukësi s’ndalet me blerje, edhe Partizani rrit pretendimet

0
157

Merkato po shkon drejt fundit dhe klubet po bëjnë përpjekje maksimale për të rrëmbyer elementët e dëshiruar. Kukësi ka qenë mjaft aktiv, por Partizani duket se ka qenë më konkret dhe shihet si një skuadër me pretendime të mëdha në sezonin e ri, kjo dhe për shkak të ndryshimeve që bëri në pankinë. Pra “demat e kuq” janë skuadër me pretendime të mëdha. Në fakt, Partizani ka bërë një merkato relativisht të mirë dhe shpreson të rikthehet në garën për titull këtë sezon. E ka nisur mjaft mirë pasi mundi Egnatian javën e kaluar dhe tani po mendon për duelin e dytë të Superiores, me shpresën se do të marrë kryesimin dhe do të jetë një pretendent për titull e për Kupën e Shqipërisë. Në të vërtetë Partizani ka afruar lojtarë, një pjesë janë emra të spikatur, por ka dhe shumë të huaj, por ata mbeten për t’u parë hap pas hapi se sa janë në gjendje të bëjnë diferencën. Për momentin klubi mund të krenohet se vuri në krye të pankinës një teknik italian, Kolelën, i cili ka drejtuar më parë në Shqipëri Apoloninë e Fierit. Ka eksperiencë, por mbetet për t’u parë sa do t’ia dalë mbanë.

Kukësi vijon me blerjet

Kukësi ka prezantuar afrimin e Laurenc Xhekës dhe mesfushori anglez Lajton Nduku. Si Xheka ashtu dhe Lejton janë bashkuar prej disa kohësh me ekipin kuksian, por fillimisht u është dashur që të bindin stafin teknik, që duket se ka dhënë aprovimin për t’u ofruar kontrata. Xheka ka firmosur me klubin kuksian për 3 sezonet e ardhshme, ndërsa Lajton do të jetë pjesë e verilindorëve për dy sezone. 22-vjeçari Xheka ka qenë pjesë e Korabit në sezonin e fundit, teksa në të shkuarën ka luajtur edhe për Kastriotin e Teutën. Nga ana tjetër Lajton ka luajtur në kampionatin anglez, duke qenë një prodhim i akademisë së Leicester Siti, teksa ka debutuar edhe me ekipin e parë. Në të shkuarën, 23 vjeçari ka qenë pjesë e moshave të Anglisë. Kuksianët e nisën sezonin e ri duke barazuar me Tiranën, ndërsa ka qenë një prej ekipeve më aktive në merkaton e verës, teksa ka ndryshuar më shumë se gjysmën e organikës. Pretendimet e verilindorëve mbeten maksimale dhe në këtë edicion të ri. Trajneri Gega pak javë më parë deklaroi se te Kukësi merkato mbetet e hapur, por tani mbetet për t’u parë nëse do të ketë më afrime pas marrëveshjeve me Xhekën dhe Lajton.

Barazuan me Tiranën, Gega kritika ekipit

Në kampin verilindor janë optimistë se do të vijë fitorja e parë në kampionat, edhe pse e kanë të qartë se nuk do ta kenë aspak të lehtë. Në sfidën me bardheblutë lojtarët kryen disa gabime, të cilat për pak mund t’i kushtonin edhe barazimin, ndërsa stafi teknik synon që ato të mos përsëriten më përballë shkodranëve. Për këtë arsye, në klub kanë kryer edhe analizën e zakonshme pas një ndeshjeje, ku edhe kanë nxjerrë defektet në këtë takim. Duke nisur nga goditjet standarde dhe roli i mesfushorëve për të thyer aksionet, në Kukës shpresojnë që të shohin një skuadër ndryshe ndaj Vllaznisë. Gjithsesi, për momentin nuk priten lëvizje të titullarëve, sepse mungojnë alternativat për shkak të dëmtimeve dhe lojtarëve që ende nuk janë në formën e tyre maksimale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here