Sulmuesi portugez luajti pistë me Barcelonën në kohën kur në lojën e transferimit u fut Reali. Më pas këtë lojë e luajti Barça me Nejmar
Merkato për klubet e mëdha është tamam një lojë e ndyrë marrëveshjesh nën tavolinë e krerëve të klubeve që kanë nga pas pasuri marramendëse, sikurse ndodh me sheikët arabë që financojnë klube të mëdha në Europë si PSG, Mançester Siti etj. Por lojërat e transferimeve të bujshme nisën me Luis Figon, nga Barcelona tek Reali i Madridit. Transferimi i Figos në Madrid, në vend se të bëhet në mënyrën e duhur, fillon me një histori fantastike dhe një gënjeshtër të plotë. Kjo gënjeshtër nuk është se portugezi e donte vërtet Barcelonën, ose se ai kurrë nuk donte të largohej nga “Camp Nou”. Të dyja këto deklarata ishin në fakt të vërteta deri në ditën kur Figo duhej të largohej për në Reali i Madridit, siç tregon një dokumentar i ri i shkëlqyer në “Netflix” me disa detaje të jashtëzakonshme. Gënjeshtra i është thënë në fakt vetë Florentino Perezit. Ai kishte thirrur Paolo Futren – një ish-yll portugez dhe mik i ngushtë i Figos – në fillim të vitit 2000 për t’i thënë atij se ai kishte në plan të provonte të nënshkruante me bashkatdhetarin e tij si pjesë e një fushate të guximshme presidenciale të Real Madridit. Perez këmbënguli se ai mund ta bënte këtë për shkak të klauzolës së lirimit në kontratën e Figos. Futre thërret agjentin e lojtarit, Jose Veiga, i cili, duke menduar sesi Perez ishte në gjendje të shpenzonte 50 milionë euro për të realizuar transferimin, ai kuptoi se miliarderi mund të paguante edhe më shumë. Dokumentari kryesisht përshkruan një pamje të një bote të ndryshme futbolli dhe është simbolike që lëvizja u bë në verën e parë të shekullit XXI . Figo ishte një lojtar i shekullit XX dhe me të vërtetë një nga yjet e fundit të epokës para Kristiano Ronaldos dhe Leo Mesit. Në një telefonatë të orës 03:00 të mëngjesit nga një dhomë hoteli në Lisbonë, pasi Perez, Futre dhe Veiga e kanë bindur më në fund Figon, e gjithë gjëja pothuajse shembet. Kjo për shkak se gruaja e lojtarit, Helene, refuzon të largohet nga shtëpia e saj në Barcelonë. Megjithatë, kjo tregon për rëndësinë e vërtetë të kësaj historie. Nuk është vetëm ajo që pasqyron lojën e sotme, por edhe mënyra se si e ka formësuar atë. Lëvizja e parë e madhe e futbollit e shekullit XXI ndikoi në të gjithë lojën moderne. Transferimi i Figos i bëri klauzolat e lirimit kaq rutinë. Barcelona pësoi të njëjtën gjë me Nejmarin 17 vjet më vonë. Në fund të fundit, kjo histori nuk ishte thjesht krijimi i presidentit të Madridit, por krijimi i Real Madridit modern. “Bota e futbollit ndryshoi, pa asnjë dyshim”, shpjegon Perez, përpara se të rrëfejë marrëdhënien e tij aktuale me Figo. “Sa herë që e shoh i them: ‘Filloi me ty’”.








































