Google search engine
Home Sport Shqipëri-Itali në “Air Albania”, miqësore luksi për kuqezinjtë gjatë ditëve të Botërorit

Shqipëri-Itali në “Air Albania”, miqësore luksi për kuqezinjtë gjatë ditëve të Botërorit

0
163

Shqipëria dhe Italia kanë zhvilluar mes tyre dy ndeshje zyrtare në eliminatoret e Botërorit 2018 në mars dhe tetor të vitit 2017, e më herët tyre një takim miqësor, të fituar 1-0 nga italianët e të luajtur në Itali. Përplasjet me Italinë nuk janë të shpeshta, pra vetëm tri ndeshje gjithsej, kështu që çfarëdo takimi midis dy përfaqësueseve merr ngjyra emocionuese, nisur dhe nga fakti se futbolli ynë mbështetet kryesisht në shkollën italiane të futbollit, por në futbollin italian luajnë shumica e lojtarëve të ekipit përfaqësues. Tashmë, një tjetër lajm surprizë vjen për sportdashësit shqiptarë. Përfaqësuesja italiane do të vijë në Shqipëri në fund të vitit, pasi pritet të ketë një duel miqësor me përfaqësuesen tonë kuqezi, pikërisht në stadiumin “Air Albania”. Lajmin e japin të dy palët, si federata italiane, ashtu dhe federata jonë, por data nuk është caktuar ende, pasi vendimin final e merr pala italiane që po shqyrton mundësitë e përshtatshme.

Miqësorja me Italinë e konfirmuar nga Gravina

Nëse FSHF e quan miqësore luksi, për italianët duhet të jetë një ndeshje kontrolli cilësore që mat punën e grupit, prandaj takimi shihet serioz dhe do të vlerësohet, gjë që i bën mirë edhe përfaqësueses tonë kuqezi. Pra, “Air Albania” po përgatitet për një tjetër ndeshje të madhe pas finales së Conference League mes Romës dhe Fejenordit, që u fitua 1-0 nga italianët e Hoze Murinjos falë golit të Nicolo Zaniolos. Në stadiumin kombëtar do të zbarkojë Italia në muajin nëntor për një miqësore ndaj kombëtares kuqezi. Një gjë e tillë është lajmëruar nga Gabriele Gravina, presidenti i FIGC (Federata Italiane e Futbollit). Në një deklaratë për “RadioRai”, Gravina u shpreh: “Kemi një mbledhje me stafin teknik për dy miqësoret që do luajmë gjatë kohës së Botërorit. Me shumë mundësi, njëra prej tyre do të jetë me Shqipërinë në Tiranë”. Katër herë kampionët e botës dështuan për t’u kualifikuar në Botërorin e Katarit (20 nëntor-18 dhjetor), periudhë të cilën skuadra e Roberto Mançinit do e shfrytëzojë për të zhvilluar dy sfida miqësore.

Cikalleshi lë Koniasporin, kalon në Arabinë Saudite

Ndërsa lajmi i miqësores me Italinë mori “dhenë”, duket se një tjetër informacion nga Kombëtarja ka vlerë. Sokol Cikalleshi është larguar nga Turqia aty ku aktivizohej me skuadrën e Koniaspor. Sulmuesi i kombëtares ka vendosur të provojë një aventurë në Arabinë Saudite aty ku do të vijojë karrierën tek klubi i Al Khaleej. Në fakt, Cikalleshi mbetet në pronësinë e klubit turk, Koniaspor, mirëpo do të kalojë në klubin arab vetëm me anë të formulës së huazimit e cila do të ketë një kohëzgjatje prej një viti. Në sezonin e kaluar, Al Khaleej u shpall kampion në Divizionin e parë të Arabisë dhe me transferimin e Cikalleshit kërkon të tentojë surprizën edhe në elitë, aty ku përballë do të ketë edhe klube si kampionët e Al-Hilal apo Al-Itihad e Al-Naser. Në sezonin e kaluar, 32-vjeçari ia doli të shënonte 10 gola si dhe të shërbente dy asiste për shokët e skuadrës tek Koniaspor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here