Google search engine
Home Sport Laçi dhe Bylisi e nisin me fitore sezonin e ri, mposhten Teuta...

Laçi dhe Bylisi e nisin me fitore sezonin e ri, mposhten Teuta dhe Kastrioti

0
169

Java e Parë e Kategorisë Superiore për sezonin e ri u mbyll zyrtarisht dje, me dy takimet e fundit, një javë që dhuroi emocione, surpriza dhe rezultate të papritura, por konstatoi frikshëm edhe një rënie të tifozëve nga shkallët e stadiumit, një fenomen që po e dëmton jashtë mase futbollin tonë, cilësinë dhe rivalitetin dhe vetë të ardhmen e këtij sporti, i quajtur sport popullor në Shqipëri. Gjithsesi, duhet thënë se Partizani, Laçi e Bylisi janë fituesit e mëdhenj të javës së parë, pasi e nisën me trepikësh, por konfirmohen edhe si skuadra të qëndrueshme, ndërkohë që humbja e shkodranëve ndaj Erzenit në hapje të kampionatit dëshmon se Vllaznia ka ca probleme që duhet t’i kalojë. Njëjtë sikurse Tirana e Kukësi që e nisën me barazim këtë kampionat, por pa rënë poshtë nivelit të pretendentëve pasi janë skuadra me grupe cilësore. Dje pati rezultate me më shumë gola dhe kjo ishte e bukura e vetme e garës në xhiron e parë të saj.

Laçi e Bylis e nisin me fitore

Skuadra e Laçit e fillon me fitore sezonin 2022/2023 në Superiore, teksa feston edhe Bylisi, që triumfoi 2-0 ndaj Kastriotit. Bardhezinjtë mposhtën 3-1 Teutën, ekip të cilin e dominuan plotësisht. Viktor Velkoski zhbllokoi takimin në minutën e 12’. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut realizoi me kokë dhe kaloi kurbinasit në avantazh. Mentor Mazrekaj kishte një shans të artë për të shënuar në pjesën e parë. Penallti për vendasit, teksa gjuajtja e kapitenit u prit nga portieri Pano Qirko. Laçi e filloi mirë edhe pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të tjerë brenda pesë minutave. Në fillim dyfishoi rezultatin afrikani Adeleke Akinyemi (52’), teksa Mentor Mazrekaj dhuroi “shoë” pesë minuta më vonë, duke dërguar rezultatin në 3-0. Teuta reagoi dhe shkurtoi rezultatin falë golit të mbrojtësit Artan Jazxhi (66’), që u konfirmua nga VAR-i. Vetëm kaq, vendasit menaxhuan minutat e mbetura dhe siguruan suksesin e parë në kampionat. Rikthim me fitore në krye të Laçit për trajnerin malazez Dejan Vukiçeviç. Ndërkohë, dueli Bylis-Kastrioti përfundoi 2-0. Nigeriani Anthoni Beji realizoi golin e parë (66′). Vendasit shënuan edhe golin e qetësisë dy minuta më vonë me anë të Luis Kaçorrit. Duhet thënë se ky ishte një start i mirë për ballshiotët, që janë një ekip që e njohin mirë mentalitetin e Superiores por edhe emocionin që jep ndryshimi i kategorive, pasi janë skuadër që kanë pasur momentet e tyre të mira, por edhe të hidhura.

Konkluzioni i Javës së Parë

Laçi merr automatikisht kreun e renditjes pasi ka shënuar fitoren më të thellë me 3 gola, kurse e ndjekin Bylisi, Partizani dhe Erzeni. Ajo që evidentohet është humbja e papritur e Vllaznisë ndaj Erzenit, por mund të thuhet edhe disfata e rëndë e kastriotit ndaj një skuadre që vjen nga Kategoria e parë sikurse Bylisi, me  të cilin do të jetë rival në betejën e qëndrimit në Superiore. Zhgënjyes paraqitja e Tiranës si kampione në fuqi, por nga ana tjetër duhet pranuar se përballë ishte një skuadër me pretendime si Kukësi. Padyshim, zhgënjyesja më e madhe është Teuta, ku durrsakët vijnë nga një sezon i dobët dhe nisin një tjetër akoma më të dobët.

Java e Parë

Të premten

Kukësi-Tirana                     1-1

Të shtunën

Erzeni-Vllaznia                   1-0

Partizani-Egnatia              2-1

Të dielën

Laçi-Teuta           3-1

Bylis-Kastrioti     2-0

Renditja

1.Laçi                     3

2.Bylis                   3

3.Partizani           3

4.Erzeni                3

5.Kukësi               1

6.Tirana                1

7.Vllaznia             0

8.Egnatia             0

9.Kastrioti            0

10.Teuta              0

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here