Kombëtarja do të luajë në shtator dy ndeshje të fundit por më të rëndësishmet në Ligën e Kombeve për këtë sezon, ku përballë janë Islanda dhe Izraeli. Kërkohet maksimumi i pikëve për të marrë vendin e parë në grup, në të kundërt rrezikojmë të biem një ligë më poshtë. Gjithsesi, trajneri Edi Reja po monitoron kuqezinjtë dhe në shtator do të përzgjedhë lojtarët më në formë. Ai është i ndjeshëm për objektivat dhe vështirësinë e realizimit të objektivave në këtë fazë. Gjithsesi, kontigjenti është madh dhe ka vend për selektim cilësor. por jo të gjithë lojtarët titullarë po kalojnë momente të mira. Na duhen sulmuesit por edhe mbrojtësit, ndërkohë që një shenjë pozitive e dha mbrëmjen e dy ditëve më parë Rei Manaj nga Championship-i anglez, kurse mbrojtësi Elseid Hysaj ka probleme tek Lacio, pasi nuk është preferencë e trajnerit Mauricio Sarri.
Manaj e bën “sefte” në Angli
Mbrëmjen e dy ditëve më parë, në kampionatin e ligës së dytë angleze, pra në Championship, Uotfordi barazoi 1-1 me skuadrën e Birmingamit, duke marrë një pikë të vlefshme, një barazim që mban firmën e një lojtari shqiptar. Ndeshja u luajt në kuadër të javës së katërt të këtij kompeticioni dhe për Uotfordin shënoi sulmuesi i Shqipërisë Rei Manaj. Në fakt, sulmuesi kuqezi, Rei Manaj, u aktivizua për 36 minuta në këtë takim ku ishte dhe protagonist te goli i barazimit. Në minutën e 63-të pas një goditje nga distanca e Sema, Manaj ishte në zonë dhe sulmuesi lushnjar pretendon që e ka prekur ai topin dhe klubi i Uotfordit dhe vetë Manaj deklaron se goli duhet akorduar për të. Në një postim të profilit të tij në rrjetin social “Instagram” vetë Rei Manaj ka shkruar se është i lumtur për golin e parë me fanellën e Uotfordit dhe se vëmendja totale shkon për ndeshjen e së shtunës në transfertë ndaj Prestonit: “Një ndjenjë e pabesueshme për golin tim të parë me këtë skuadër. Të vazhdojmë të punojmë kështu dhe të përqendruar për sfidën e së shtunës”, shkroi Rei Manaj, i cili aktualisht me Uotfordin në Championship është aktivizuar në 3 ndeshje dhe duke shënuar një gol.
Mbrojtësi/ Hysaj në vështirësi tek Lacio, Sarri nuk e do në formacion
Lacio nuk është më aq dashamirëse me shqiptarët, gjë që duket e vjen nga dobësimi i pozitave të Igli Tares. Trajneri i Lacios, Maurico Sarri, zhvilloi një takim me kryesinë e Lacios ditën e djeshme ku një nga temat kryesore të diskutimit ishte kërkesa e teknikut për një tjetër mbrojtës në krahun e majtë, me klubin kryeqytetas që për momentin nuk mund të lëvizë për ti plotësuar dëshirën italianit dhe për shkak të Hysajt. Sipas raportimeve nga “Corriere dello Sport”, presidenti Lotito ka qartësuar Sarrin se klubi nuk mund të kryej asnjë përforcim nëse më parë nuk ka largime mes lojtarëve që bëjnë pjesë në skuadër, me Hysajn që mbulon krahun e majtë të mbrojtjes për momentin. Për mbrojtësin kuqezi në javët e shkuara ka pasur interesim nga ana e Valencias, me klubin spanjoll që mund të bëjë një ofertë zyrtare në ditët e ardhshme ku dhe situata e Hysajt te Lacio mund të favorizojë këtë transferim.








































