Shfaqja e parë në një skenë për aktorin e njohur Klodian Hoxha ka qenë “Mikroborgjezët”. Kanë kaluar vite nga ajo kohë dhe aktori tregon se hapat e tij krijuan rrugën në teatër, por dhe në kinematografinë shqiptare. Aktorin Klodian Hoxha e kemi parë me role të ndryshme në skenat teatrore, por dhe në filma. Bashkëpunime me regjisorë të ndryshëm dhe sot një aktor i vlerësuar në jetën artistike. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Klodian Hoxha vjen në një rrëfim për udhën e tij artistike, momentet më të vështira dhe hapat që e çuan drejt suksesit si aktor. Roli i fundit me të cilën u prezantua në një skenë teatrore ishte Marko në shfaqjen “Kukulla”, që siç tregon nuk kanë munguar dhe ftesat për në festivale me këtë pjesë teatrore. Prej vitesh në teatër dhe në kinematografi, aktori tregon se për arsye pamundësie atij i është dashur dhe të refuzojë role, por tregon se kanë qenë vite shumë produktive për atë, të cilët e kanë ndihmuar që të rritet profesionalisht. Por sa i takon problemeve sot në jetën artistike, aktori Klodian Hoxha sheh problem te artistët vlerësimin financiar, që sipas tij shpesh lë për të dëshiruar. Si aktor Klodian Hoxha ka qenë aktiv si në teatër edhe në kinematografi, por tregon se dashuria e tij është njësoj për të dyja edhe nuk mund të veçojë dot. Aktori thotë se teatri dhe filmi ecin paralel me njëri- tjetrin dhe të ndihmojnë të rritesh si aktor, duke sjellë karaktere të ndryshëm edhe të larmishëm.
-Me rolin e Markos erdhët në skenën teatrore me shfaqjen “Kukulla” tek Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Një vepër me regji nga Elma Doresi me të cilën ju keni bashkëpunuar dhe më parë. Për ju si aktor në shfaqje me “Kukullën”, çfarë u përcoll te publiku për disa net me radhë, ku jeni shprehur se për dy aktorët ishte një provë suksesi?
Shfaqja i kaloi pritshmëritë tona. Unë interpretoja rolin e Markos. Ishte një provë suksesi për të dy ne aktorët. Kemi pasur menjëherë ftesa në festivale ndërkombëtare, por në pamundësi për shkak të angazhimeve filmike të mijat, na është dashur ti refuzonim. Prej vitesh jemi vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe nuk kanë qenë të pakta pjesëmarrjet tona jashtë. Kështu që nuk do të mungojmë as kësaj here. Kam marrë shumë komplimente mbi mjeshtërinë aktoriale timen si edhe mbi karakterin e Markos dhe realizimin e figurës së tij. Bashkëpunimi me Elmën nuk nis sot me “Kukullën”, por as edhe nuk përfundon sot me të.
-Ju keni bashkëpunuar dhe më parë me regjisoren e njohur Elma Doresi. Por një ndër gjërat e veçanta të shfaqjes ishin dhe mesazhet dhe tematikat që ajo trajtonte, si dhe mënyra se si ju zgjodhët që ti përcillnit ato tek publiku. Si aktor, çfarë mund të na thoni?
Ajo që na jepte edhe më shumë kënaqësi ishte se në fund të çdo shfaqje takoheshim me publikun, i cili e nënvizonte faktin se sa mesazhe të bukura kishim arritur të përcillnim. Secili gjeti veten në një situatë ose skenë. E rëndësishme është që në fund, përveç argëtimit sollëm edhe reflektim mbi të gjitha.
-Ju jeni një aktor që keni spikatur me aktivitetin tuaj si në teatër dhe në kinema. Si ka qenë puna juaj me filmin dhe nëse keni refuzuar role, pse ka ndodhur?
Atëherë rolet siç e cituat edhe ju, nuk kanë munguar, përkundrazi “fatkeqësisht” më është dashur disa edhe ti refuzoj për arsye pamundësie. Kanë qenë vite shumë produktive, për mua si në teatër si me filmin, të cilët më kanë ndihmuar shumë që të rritem profesionalisht.
-Çfarë mund të na thoni mbi projektin më të fundit në film, si vjen Klodian Hoxha në rol?
Sapo kam mbyllur xhirimet në një produksion gjerman, ku interpretoja një rol në filmin “Në det është parajsa”. Tani që flasim bashkë ndodhem në shesh xhirimesh me film aksion – komedi me regji të Aldo Markut. Njëkohësisht presim të startojmë me xhirimet me Andi Delianën shumë shpejt. Kaq për gushtin. (Qesh )
-Po vjeshta si do jetë me kinematografinë?
Shtatori, tetori, nëntori sjellim serish projektet të reja filmike dhe teatrore. Kështu që, mos m’u ndani. ( Qesh )
-Ju keni role të ndryshme si në teatër dhe në kinema, kur shikoni shfaqjet apo filmat që keni lozur, a ka raste që mendoni se mund të ishte bërë diçka më mirë me rolin?
Kjo gjë ndodh rrallë. Nuk para më pëlqen që të shoh veten, përveç rasteve të premierave në të cilën jam i detyruar. Natyrisht që jam skeptik si përherë për veten dhe përherë mendoj se duhet të kisha bërë edhe më shumë. Mendoj se kjo quhet përgjegjshmëri dhe respekt ndaj profesionit. Meritat nuk ia jap vetes asnjëherë, por më pëlqen kur ato i marr nga publiku.
-Në jetën profesionale si aktor, për kë ju merr malli në teatër si personazh dhe në kinema?
Suksesi nuk na ka munguar. Prej vitesh nuk kanë munguar çmimet si shfaqjet më të mira apo vlerësimet tona si aktorët më të mirë. Gjithashtu prej vitesh kemi afruar dhe rikthyer publik në skenat teatrore. Besoj për këto, do të flasë historia më vonë. Nuk ka munguar kurrsesi as skenat jashtë si Vjena ( Austri ) apo Kina ( Xian, Fuzho ).
-Keni arritur vlerësime me aktivitetin tuaj artistik, çfarë keni synuar si aktor dhe a ka qenë e vështirë për të arritur ku jeni sot?
Ëndrra ime si aktor ka qenë të ngjitesha në skenën e Teatrit Kombëtar. Aty ia kam dal! Të tjerat kanë ardhur si rrjedhojë e saj. Jam shumë i lumtur dhe krenar për veten time dhe arritjet e mia. Hapat e mia krijuan rrugën time sot.
-Me kaq angazhime me teatrin dhe filmin, duket se për ju nuk shihet kur është fundi i një sezoni apo fillimi i sezonit tjetër…
Kjo për shkak të angazhimeve të mia profesionale, që janë seriali arabo- turk, ku u xhiruan tetë seri dhe isha shumë i lumtur që isha pjese e tyre. Shfaqja “Dita më e bukur” me regji të Ledio Topallit, e cila kishte një sukses të jashtëzakonshëm me të gjitha biletat e shitura. Realizoi një turne në gjithë Shqipërinë, ku mbushi sallat (Sold out). Shfaqja teatrore “Kukulla” produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë me regji të Elma Doresit. Ndërkohë tani jam në projektet, të cilat i përmenda në fillim.
– Keni treguar se shfaqja e parë, që keni luajtur në një skenë ka qenë “Mikroborgjezët”. Pas kaq vitesh si e shikon veten në teatër. A keni realizuar atë, që ju keni synuar?
Shfaqja e parë, që unë kam luajtur në skenë “Mikroborgjezët” e Maxim Gorkyt ishte me regji të profesorit tonë të nderuar Birçe Hasko, që gjej rastin ta falenderoj për atë që na ka dhënë ne studentëve. Unë kam pasur rolin e Teterevit, që ka qenë një karakter jashtëzakonisht i bukur dhe më ka ndihmuar të rritem unë si aktor. Për mua ai ka qenë roli i parë edhe impakti im i parë me skenën edhe publikun, dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm edhe tani kur e kujtoj emocionohem. Kurse roli i parë në Teatrin Kombëtar ka qenë Trofimovi nga shfaqja “Kopshti i Vishnjave” autor Anton Çehov me regji të Kiço Londos, ku edhe ai ka qenë një emocion i veçantë.
-Ju e doni teatrin dhe filmin, sipas jush a vlerësohen sa duhet aktorët sot?
Dy gjëra do veçoja: Vlerësimi financiar, i cili lë për të dëshiruar shpesh dhe mungesa e kritikës, e cila bëhet rëndomtë nga miqësitë apo interesat.
-Veç teatrit dhe filmit, pjesa e kohës së lirë si kalon për aktorin Klodian Hoxha?
Kam një familje të mrekullueshme me të cilën shpesh ndihem në faj për shkak të profesionit dhe angazhimeve të mia artistike. Por jam me fat, pasi kam mirëkuptim dhe dashuri pa fund. Ndërkohë po merrem me skenarin tim. Për herë të parë po tentoj të shkruaj një skenar, i cili bazohet në ngjarje të vërtetë. Uroj dhe shpresoj që shumë shpejt të marri rrugëtimin e tij, duke e materializuar. Ky do të jetë hapi i parë për tu prezantuar unë si regjisor. Më pas do të kemi edhe të tjera. (Qesh )
-Mes teatrit dhe filmit, jeni shprehur që nuk mund të veçoni…
Unë kam qenë aktiv si në teatër edhe në film. Dashuria ime është njësoj për të dyja edhe nuk mund të veçoj dot asnjë, sepse janë të dyja ato që ecin paralel me njëra- tjetrën edhe të ndihmojnë të rritesh si aktor, duke sjell karaktere të ndryshëm edhe të larmishëm.
-Jemi në ditët e verës, vendi që ka zgjedhur aktori Klodian Hoxha për pushimet?
Pushimet? Varet nga sheshi i xhirimit. (Qesh )