Fundi i Sali Berishës në politikë do të vijë pikërisht nga lëvizja e iniciuar nga Partia Demokratike që do të aktivizohet nga Partia Socialiste. Një mundësi që po shqyrtojnë socialistët është përdorimi i një mjeti ligjor të propozuar nga PD dhe me anë të të cilit demokratët kanë larguar nga Kuvendi disa deputetë e kryetarë bashkish të socialistëve, dekriminalizimin. Izolimi nga ndërkombëtarët nuk e ka ndaluar Berishën të vazhdojë jetën e tij politike. Por jo për shumë gjatë, pasi në shtator priten ndryshime në ligjin e Dekriminalizimit, ku veç personave të dënuar të përfshihen edhe ata të shpallur non grata nga SHBA, apo partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ky parashikim do të largonte nga Kuvendi automatikisht Sali Berishën, që është i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Sinjalet janë dhënë qartë dhe Partia Socialiste së fundmi është treguar e gatshme, duke nënvizuar qartë se fokusi i tyre në shtator do të jetë nisma për të përjashtuar nga politika Sali Berishën. Pra, në vjeshtë fokusi i Parlamentit do të jetë pikërisht te ndarja e politikës nga e shkuara komuniste. Meta është i pari që rrezikon të përjashtohet nga postet publike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia dhe për Berishën, i cili është me teserë të PPSH. PS nuk i ka e vetme votat për këto nisma dhe i duhet mbështetja e opozitës dhe Enkelejd Alibeja ka dhënë sinjale se ai mbështet ndarjen nga e shkuara komuniste. Por këto sinjale kanë xhindosur Sali Beirshën. Nga burime të gazetës “SOT”, Berisha ka nisur në prapaskenë shantazhet dhe kërcënimet ndaj deputetëve që kanë paralajmëruar votimin e nismës që vulos përfundimisht “vdekjen e tij politike”. Sa herë që Berisha e ndjen se “laku” po i shtrëngohet, nis fuqishëm presionet si rrugëzgjidhja e tij e vetme, pasi në dorë i kanë mbetur vetëm “skenarët destabilizues”, ku si gardianë ka ndërkombëtarët, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë dhe janë gati për çdo trazirë që rrezikon vendin tonë.
Berisha u mbyll dyert kundërshtarëve
Sherri i fortë mes ish-kryeministrit dhe mbështetësve të kreut të komanduar të Partisë Demokratike, Enklejed Alibeaj brenda PD sa vjen edhe thellohet edhe më shumë. Sinjalet e qarta nisën pak ditë më parë në selinë blu. Një grup i madh deputetësh të Partisë Demokratike u mblodhën në një nga hotelet e Tiranës. Mësohet se në takim ishin 34 deputetë që njihen si “mbështetës” të ish-kryetarit Lulzim Basha. Gazeta mori informacione se Berisha nuk i lejoi këta deputetë që të afrohen në godinën e Partisë Demokratike. Ky i fundit është shfaqur shumë arrogant me çdo demokrat që mendon ndryshe nga ai, sa i ka detyruar dhe deputetët e PD të mblidhen nëpër lokale dhe jo në selinë blu ashtu siç duhet të ndodhte. Ndryshe, kryefoltoristi shfaqet në publik, si politikani që është aty për të bashkuar të gjithë demokratët, por në prapaskenë fshihen të tjera situata. Fytyrën “e vërtetë” të Berishës, e shohin vetëm ata që i dalin kundër. Gazeta ka mësuar gjithashtu, se Berisha ka arritur deri në kërcënime të deputetëve. Klima e tensionuar në PD, ka vënë në lëvizje Berishën që përmes presionit, dhunës dhe shantazhit, të uzurpojë dhe të mbajë me forcë të gjithë godinën e Partisë Demokratike, pa folur ende gjykata e Apelit. Por duke parë vendosmërinë e Alibejat për të miratuar ligjin që do e përjashtojë nga politika, situata është bërë akoma më e nxehtë brenda Partisë Demokratike.








































