Shtohen dyshimet për raportin e Ilir Metës (Metaj) me ish Sigurimin e Shtetit. Edhe pse Meta pretendon se nuk është ai Ilir Metaj që deklaron Autoriteti i Dosjeve që ka spiunuar shokun e tij Filip Talon, disa veprime dhe qëndrime të ish presidentit ngrenë dyshime të forta. Krahas operimit në mënyrë të çuditshme me dy mbiemra Meta dhe Metaj si dhe vendosjes si kusht në ligjin e dosjeve të vitit 2015 që të mos verifikoheshin personat që kanë marrë një herë certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’, Meta ka kundërshtuar fort që në vitin 1995 hapjen e dosjeve. Nisma e parë për trazimin e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit ka alarmuar Ilir Metën, i cili akuzonte Sali Berishën, sot aleatë për kokë, se po tentonte të eliminonte politikisht kundërshtarët politikë përmes zbulimit të spiunëve të ish Sigurimit. Në 22 shtator të vitit 1995, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi ligjin për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Dy muaj më pas u miratua ligji për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik. Në bazë të këtyre dy ligjeve, u hapën për herë të parë dosjes e ish Sigurimit të Shtetit dhe komisioni ‘Mezini’ lëshoi certifikata për pastërtinë e figurës për deputetët dhe zyrtarë të tjerë. Ilir Meta, siç provohet nga ky dokument parlamentar, rezulton se është pozicionuar kundër ligjit që hapte dosjet, duke akuzuar Sali Berishën, në atë kohë President, si një strategji elektorale për t’u hequr në mënyrë të dhunshme disa figurave të PS të drejtën për të kandiduar për deputet. .”.Është thjesht një blof elektoral që drejtohet kundër opozitës për ta identifikuar atë me gjenocidin komunist, për të skualifikuar në mënyrë arbitrare figurat politike të opozitës të papërballueshme politikisht nga partia në pushtet dhe Presidenti Berisha”, deklaronte Meta. Ilir Meta e konsideronte ligjin si një gjenocid i ri kundër PS nga ana e Sali Berishës, të cilin sot e ka aleatin kryesor politik. Megjithatë, Meta arriti të merrte certifikatën se nuk ishte spiun si nga komisioni ‘Mezini’ ashtu edhe nga komisioni ‘Bezhani’, drejtuar nga Nazif Bezhani, të cilin e dekoroi kur ishte President.






































