Aktorët: Mosdhënia rëndësi dramës shqipe godet drejtpërsëdrejti teatrin shqiptar, pa dramaturgë nuk ka teatër

0
184

Drama shqipe në skenat e teatrove nuk ka gjetur sa duhet hapësira kanë pohuar dramaturgë të njohur shqiptarë më parë. Por dhe për aktorë të ndryshëm nëse nuk i jepet rëndësia e duhur që të jetë në skenë, kjo është një goditje dhe për teatrin shqiptar. Për aktorë të teatrit që prej vitesh kanë qenë në shfaqje të ndryshme teatrore, drama nuk mund të shkruajnë ata që nuk njohin teatrin. Reagimi i aktorëve vjen kur dhe sezoni artistik ka përfunduar dhe në vjeshtë pritet të nisë  sezoni i ri teatror, ku ata kërkojnë më shumë vëmendje për dramaturgjinë shqipe. Aktori Ilirian Ali kreu studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1978, ku nga ky vit nisi aktivitetin artistik dhe në teatrin e Vlorës, duke sjellë në skenë role nga më të ndryshmet. Prej vitesh në skena teatrore, Ilirian Ali thotë se ndihet mungesa e dramës shqipe në teatro. “Është e domosdoshme që të vihen vepra shqipe në skenë, aq më tepër që në Teatrin Kombëtar janë dhe “Netët e leximit të dramës shqipe”, që paraqiten vepra. Por varet se sa seleksionon dhe çfarë niveli ka. E domosdoshme është që të shkruhen dhe të vihen vepra shqiptare, sepse është ndjerë mungesa”, thotë aktori. Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj bën një analizë më të gjerë të situatës me teatrin në vend. Ajo thotë se problem është mungesa e një repertori të vazhdueshëm në teatër. “Në Shqipëri shkrimet dramatike nuk mungojnë, por mungesa e një repertori të vazhdueshëm krijon që veprat dramatike të shkruhen si nevojë e brendshme e një skenaristi, se sa punë krijuese për të parë dritën e skenës. Kjo jo vetëm që limiton dramaturgun, por njëkohësisht frenon edhe regjisorët”, shprehet aktorja.

Njohja mirë e teatrit

Një dramaturg sipas regjisores dhe aktores Eliona Thomaraj duhet të ketë përgatitje. Sipas saj nuk mund të shkruajë dramë shqipe dikush, që nuk e njeh teatrin. “Hallka që mungon e kam cilësuar edhe më parë është shkolla e mirëfilltë për degën e dramaturgjisë. Nuk ka dramaturgë të mirëfilltë. Mungon kultura e shkrimit të një vepre dramatike, shkruajnë drama njerëz që nuk njohin teatrin dhe ligjet e tij. Pastaj mungon hallka tjetër, konkurrimi për vepra shqip dhe festivali i dramës shqipe, që mbahet vetëm në Gjilan”, thotë më tej aktorja. Edhe pse herë pas here është pohuar nga autorë të njohur veprash, që duhet të ketë një rregull për vënien e veprave në skena, duke caktuar sa të jenë të huaja dhe shqiptare, aktorja Eliona Thomaraj thotë më tej se pa dramaturgë nuk ka teatër. “Mosdhënia rëndësi e një zhanri të tillë godet drejtpërsëdrejti teatrin shqiptar, pasi pa dramaturgë nuk ka teatër. Krijimi i një “kushtetute” të programit vjetor të një teatri duhet të jetë vënia në skenë e një numri të barabartë midis dramaturgjisë botërore dhe asaj shqiptare, pasi është kusht themelor për të komunikuar drejtpërsëdrejti me publikun”, vijon aktorja. Reagimi i aktorëve për mungesën e dramës shqipe vjen në vijim të kritikave që janë bërë më parë për politikat, që ndjekin teatrot dhe Ministrinë e Kulturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here