Finalja e Conference League në Tiranë, qeveria do shpërblejë me një rrogë plus efektivët e policisë që morën pjesë në mbarëvajtjen e ndeshjes

0
157

Qeveria pritet që të miratojë shpërblim për punonjësit që morën pjesë në mbarëvajtjen e sigurisë në finalen e Conference League, ndërmjet Romës dhe Feyenoordit, e cila u zhvillua në Tiranë më 25 maj. Sipas propozimit të bërë nga ministria e Brendshme, efektivët që ishin të angazhuara në këtë ndeshje do të marrin një rrogë shpërblim. Policia e Shtetit hartoi një plan masash të detajuara për mbarëvajtjen e finales së Conference League, dhe u angazhuan në total 2800 punonjës policie. Tirana ishte për dy ditë kryeqendra e futbollit Europian, pasi u zhvillua në stadiumin ‘Air Albania’ finalja historike e ‘Conference League’, në të cilën triumfoi ekipi italian i Romës kundrejt atij holandez të Feyenoordit. Kryeqyteti i vendit, hapi dyert për të mirëpritur mijëra tifozë, ndërsa autoritetet në vend e shpallën ditë pushimi zyrtare dhe pa makina, ku akset kryesore u bllokuan dhe pjesa qendrore e qytetit u kthye në pedonale, në mënyrë që situata të ishte nën kontroll. Kujtojmë se humbja e Feyenoordit në finalen e Tiranës shkaktoi zemërim të tifozëve holandezë jo vetëm në stadiumin “Air Albania”, por dhe në qytetin e Roterdamit. Si pasojë e trazirave që shkaktuan në qytet, dhjetëra prej tyre janë arrestuar . Tifozët sipas mediave të huaja, sulmuan godinat dhe dyqanet në rrugët e  Roterdamit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të neutralizuar situatën. Trazirat u shkaktuan në disa qytete të Holandës dhe zgjatën rreth 30 minuta. Tifozët u larguan nga sheshet dhe stadiumi De Kuip, ku finalja e humbur e Ligës së Konferencës u shfaq në disa ekrane të mëdha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here