Kryebashkiaku i Tiranës dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste për kryeqytetin, Erion Veliaj nuk i ndali sulmet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta. Gjatë një takimi me socialistët në Kashar, Veliaj akuzoi dje dy liderët e opozitës si të lidhur me regjimin e kaluar komunist dhe ish-Sigurimin e Shtetit. Ai shtoi me ironi se Berisha dhe Meta po konfliktohen për të përcaktuar se cili prej tyre ka qenë komunist dhe cili fuks. Ndër të tjera, Veliaj shtoi se PS e kaloi provën e transparencës për ligjin e hapjes së dosjeve për ish-Sigurimin e Shtetit. Sipas tij, Berisha dhe Meta nuk kanë moral politik për të mbrojtur duke i krahasuar me një person që flet për virgjërinë pasi kanë dalë nga një bordello. Kryebashkiaku i kryeqytetit beson se shqiptarët nuk janë budallenj për të kuptuar të kaluarën e errët të dy ish-kryeministrit dhe ish-presidentit. “Ata janë akoma duke zgjidhur se kush ishte komunist, kush ishte fuks, kush ishte sigurims, kush e ka partinë familjare. I keni parë gjithë ditën sot janë duke folur ata për moral, të flasësh Ilir Meta dhe Sali Berisha për moral është si të flasë një njeri që del nga bordelloja për virgjërinë, por është fyerje shumë e madhe e inteligjencës. Ata mendojnë se njerëzit janë budallenj. Pas 30 vitesh sot kemi një ligj për spiunët, e pavarësisht se ne kur filluam, na paragjykonin ‘s ’ka mundësi PS të kalojë ligjin për transparencën e Sigurimit’. Ja ku jemi sot dhe u duk kush ishte komunist nga më të këqijtë dhe kush ishte fuks nga më të rëndomtit dhe sot t’i zgjidhin vetë dhe komunisti Sali dhe fuksi Ilir”, tha fillimisht Veliaj. Më pas, ai u kthye në kohën e ndryshimeve politike në vend në vitet 1990-1991 duke akuzuar Metën se spiunoi studentët e grevës së urisë së 20 shkurtit 1991 dhe Berishën si i dërguar i ish-presidentit Ramiz Alia për të shuar revoltat studentore kundër regjimit komunist të kohës.










































