Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) njoftoi se janë rrëzuar 100% në ritestim humbësit e të gjitha pikëve të lejedrejtimit.
Në një njoftim të saj, DPSHTRR-ja, thekson se, sot ishte grupi i 3-të i testimit për norma sjelljeje, për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në auto-shkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.
Sipas DPSHTRR-së, nga 28 persona të riregjistruar, u paraqitën vetëm 11 dhe që të 11-të u rrëzuan në testin elektronik të teorisë, çka i ridërgon ata përsëri nga e para në auto-shkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor (me vetëm 1 mundësi prove). Dy prej tyre e kanë për herë të dytë, teksa personat kishin marrë leje drejtimi për herë të parë në vitet: 1994, 1997, 2004, 2007, 2010, 2013, 2017 (2), 2019, 2020, 2021!
DPSHTRR-ja i bëri apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbasin të gjitha pikët, do të rikthehen në auto-shkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kalojnë testin e praktikës.
“Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë! Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja. S’ka shpëtim përveçse riedukimit”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së.









































