Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi paralajmëroi dje drejtuesit e policisë në qytetet bregdetare se do të përgjigjen personalisht për çdo rast tolerimi të muzikës së lartë pas orës 23:00 dhe për përdorimin e motorëve të ujit (jet ski) në plazhe që rrezikojnë jetët e pushuesve. Gjatë një takimi me krerë të policisë të këtyre zonave, Çuçi tha fillimisht se pavarësisht se policia ka përmirësuar veprimtarinë e ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë stinës verore në vitet e fundit, përsëri duhet të tregohet kujdes ndaj disa fenomeneve që shfaqen në këtë periudhë. Siç ndodh zakonisht dihet që kulmi pritet në muajin gusht. Pavarësisht se kemi bërë përmirësime të shumta nga vitet e kaluara sërish po shohim fenomene që kurrsesi nuk duhen toleruar”, bëri me dije paraprakisht ministri. Ai nuk pranoi asnjë lloj tolerimi ndaj muzikës së lartë në lokale pas orës 23:00 dhe përdorimit të motorëve të ujit pranë pushuesve në plazhe. Çuçi kërcënoi drejtuesit e policisë në zonat e bregdetit se do të ballafaqohen personalisht me të nëse neglizhojnë urdhrat e tij. Ai theksoi se ligji duhej të zbatohet në mënyrë të barabartë për gjithë qytetarët dhe bizneset. “Është e patolerueshme të ketë biznese me muzikë pas orës 23:00 të natës gjatë javës dhe pas orës 00:00 në fundjavë. Do të keni punë me mua nëse nuk e merrni seriozisht këtë punë. Më keq akoma kur në ndonjë rast ka subjekte që tolerohen duke prishur kështu edhe konkurrencën në biznes e duke krijuar pakënaqësi. Ligji është i njëjtë për të gjithë”, deklaroi në mbledhjen e djeshme ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.









































