Kjo është java e fundit në të cilën Ilir Meta do të ushtrojë detyrën si President i Republikës së Shqipërisë, pasi me 24 korrik i përfundon mandati i tij i plotë 5 vjeçar. Edhe pse i zgjedhur në 2017 nga 87 votat e socialistëve dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta në postin e Kreut të Shtetit gjatë viti të dytë të detyrës së tij u kthye në një “mur” për qeverinë dhe mazhorancën e Edi Ramës, ndërkohë që do të mbahen mend si i vetmi kryetar Shtetit në Shqipëri që ka përdhosur institucionin e Presidencës dhe ka sulmuar si njëherë më parë ndërkombëtarët, me një gjuhë aspak të denjë që edhe rrugaçët do ta kishin zili. Gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin një pjesë të kronologjisë së Metës në krye të Presidencës shqiptare, ku si fillim, si një ndër veprimet e tij të dënueshme është gjuha që ai përdori ndaj diplomatëve të huaj të atashuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ilir Meta i shpalli “luftë” ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, akuzat ndaj të cilës janë të shumta. Gazeta po sjellë në kujtesën e audiencës një përplasje e cila ka qenë epike dhe ka ndodhur LIVE në prill të vitit që shkoi. Asokohe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dhënë një mesazh të ashpër duke shigjetuar drejtpërdrejt Ilir Metën duke i thënë se thirrje për dhunë janë të papranueshme dhe të dënueshme. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Ilir Meta i cili nga një studio televizive i është përgjigjur që të mos mbështesë më Ramën dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë. “Tani live sapo me shkruajti ambasadorja Yuri Kim për te mos përmendur me sfurqet. I them ambasadores amerikane live qe te mos marre me ne mbrojtje Edi Ramën. Meqë me dërgoi live sms i them ambasadores amerikane mos e mbështet me Edi Ramën. Meqë jam transparent po ju them edhe nje fakt, qe ambasadorja amerikane më ka kërkuar mua si president, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvoranin. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës. E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme të Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme”, deklaroi Meta.
Presidenti kthen mbi 70 ligje
Ndërkohë në këto 5 vite në krye të Presidencës, rreth 70 dekrete kundër ish-aleatit të tij ka firmosur Ilir Meta, duke shkaktuar një krizë të thellë mes dy zyrtarëve më të lartë të vendit, që vite më parë kishin bashkëpunuar ngushtësisht për të ardhur në pushtet. Konflikti institucional mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama nisi 4 vite më parë kur Kreu i Shtetit doli me dekret kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Refuzimi i Metës ndaj emërimit të ministrave Sandër Lleshaj në 2018 dhe Gent Cakaj në 2019 shkaktuan zemërim dhe akuza nga ana e Edi Ramës kundrejt Presidentit. Madje për këtë çështje përfunduan edhe në Gjykatën Kushtetuese. Largimi i PD dhe LSI nga Parlamenti duke djegur mandatet e tyre nxorën më shumë në pah konfliktin institucional, por tashmë jo vetëm President-qeveri, por edhe me Kuvendin. Akti më i paprecedentë, ishte zhdekretimi i datës së zgjedhjeve vendore, vendim për të cilin PS ndërmori një nismë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Por asnjëra palë nuk doli e fituar, pasi PS hyri e vetme në zgjedhjet lokale duke mos marrë parasysh dekretin e Metës, dhe nga ana tjetër Venecia nuk i dha mbështetje ligjore socialistëve për ta shkarkuar. Në 2 mars 2020 Meta thirri qytetarët në sheshin para Presidencës për t’i treguar forcën e tij politike Edi Ramës. Anti-shpifja, zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndryshimet kushtetuese për heqjen e koalicioneve parazgjedhore kanë përplasur në vazhdimësi Kreun e Shtetit me Parlamentin. Por qëndrimi i Ilir Metës gjatë fushatës së zgjedhjeve të parlamentare të 2021 krisi më shumë marrëdhënien e Ramës me ish aleatin e tij, por sërish edhe në përpjekjen e dytë nuk arritën ta shkarkonin atë nga posti i Presidentit. Ndërkohë gazeta “Sot” ka bërë një verifikimi dhe rezulton se në harkun e 5 viteve, presidenti në ikje ka shpërndarë rreth 900 dekorata, duke thyer kështu rekordin e paraardhësve të tij në krye të Presidencës, por edhe duke hyrë kështu në histori, si presidenti që shpalli gjithë popullin “Nderi i Kombit”. Madje këtë javë që shkoi Meta ka dhënë shumë dekorata, sikundër thuhet në faqen zyrtare të Presidencës.
Meta ikën të dielën nga Presidenca
Pasi 24 korrikut Ilir Meta ka premtuar se do të kthehet aktiv në politikën shqiptare, por pa treguar nëse LSI do të jetë sërish mekanizmi i tij. Të dielën e ardhshme Ilir Meta do t’i lirojë zyrën Bajram Begaj të propozuar dhe zgjedhur nga votat e socialistëve me 4 qershor. Pavarësisht konfliktit me mazhorancën e majtë, Meta nuk e kundërshtoi emrin e pasardhësit të tij, madje nxitoi duke firmosur nga Stambolli lirimin nga detyra si shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.









































