Google search engine
Home Aktualitet Skënder Jaçe: Kinostudio solli edhe kryevepra të kinemasë shqiptare që i rezistuan...

Skënder Jaçe: Kinostudio solli edhe kryevepra të kinemasë shqiptare që i rezistuan kohës, sot duhet më shumë buxhet për filmin

0
374

Kinostudio la një trashëgimi të pasur me filma, që kineastët shprehen se janë edhe kryevepra të kinemasë shqiptare. Por sot sipas tyre bëhet pak për promovimin e filmit shqiptar. Muaji korrik është dhe muaji i kinematografisë. Një aktivitet do të jetë këtë mbrëmje për 70- vjetorin e Kinostudios “Shqipëria e re”, por sipas kineastëve sa herë që përmendet fjala Kinostudio në mëndje të vjen ajo pasuri e madhe kombëtare. Kineasti Skënder Jaçe thotë se ka prodhime filmash të atyre viteve, që mbeten vlera të kinemasë shqiptare. “Në 70- vjetorin e Kinostudios më vjen në mendje gjithë ajo pasuri e madhe kombëtare. Historikun e gjithë pelikulës, që tani nuk është më prezente si format. Me prodhimet e saj në dekada, Kinostudio solli edhe kryevepra të kinemasë shqiptare, që me gjithë propagandën e kohës kanë mundur që ti shpëtojnë në një farë mënyre censurës dhe të mbeten vlera të vërteta të kinemasë”, shprehet producenti dhe kineasti Skënder Jaçe, që gjatë kësaj kohe po zhvillon dhe aktivitetin “Open Cinema”, duke shfaqur te publiku në qytete të ndryshme prodhime filmash të njohur shqiptarë, si filma të Kinostudios, por dhe pas vitit 1990.  Arkivi i Filmi shprehet se më 10 korrik të vitit 1952, 70 vjet më parë inaugurohej Kinostudio “Shqipëria e re”, por për kineastin Skënder Jaçe brenda kjo histori mban gjallë qindra mijëra kilometër filmi të dokumentuar, të dokumentarëve të ndryshëm, të kronikave, etj, që janë xhiruar në vite. “Në fund të fundit është një histori e gjallë e kombit, pasi pasqyron në mënyrë kronologjike zhvillimin e etapave në Shqipëri”, shprehet kineasti Jaçe. Një punë e mirë sipas tij po bëhet nga AQSHF në restaurimin e kopjeve të filmave shqiptarë.

Kinemaja sot

Përballë problemeve që has sot zhvillimi i kinematografisë shqiptare, kineasti Skënder Jaçe thotë se është shqetësuese promovimi për filmin shqiptar. Sipas tij që kjo të bëhet duhet një vlerësim më i madh për kinematografinë shqiptare. “Mua më shqetëson promovimi sa më shumë i kinematografisë shqiptare, që brezat të njihen me zhvillimin e kinemasë dhe të mos mbetet në sirtarë, qoftë për kinemanë e vjetër dhe për kinemanë e sotshme. Më shumë buxhet dhe vëmendje për filmin shqiptar, i cili është një urë komunikimi me vendet e botës”, thotë kineasti Jaçe. “Open Cinema” po vijon edicionin e gjashtë duke ndaluar në qytete të ndryshme të vendit tonë. Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe që e zhvillon këtë aktivitet thotë se mbrëmja e sotme në Patos do ti kushtohet 70-vjetorit të Kinostudios “Shqipëria e re”. Në Patos filmat do të jenë në tre net, në datat 13, 14 dhe 15 korrik për publikun. Kinostudio “Shqipëria e Re” la në trashëgim rreth 200 filma. “Tana” prodhim i vitit 1958, njihet si filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film (më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”). Premiera është dhënë më 17 gusht 1958, regjia Kristaq Dhamo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here