Google search engine
Home Bota Rajoni Përshkallëzohen protestat në Maqedoninë e Veriut, paralajmërohet bllokadë në të gjithë shtetin,...

Përshkallëzohen protestat në Maqedoninë e Veriut, paralajmërohet bllokadë në të gjithë shtetin, futet “në lojë” edhe SHBA, ja çfarë pritet të ndodhë në Shkup

0
163

Në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë protestat e dhunshme kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Të organizuar nga VMRO-DPMNE në opozitë, qytetarë të shumtë kanë dalë në rrugë dhe ditën e djeshme, duke bllokuar akse dhe sheshe të ndryshme në mbarë vendin. Mijëra persona kanë marshuar ditët e fundit nëpër rrugët e kryeqytetit ku nuk kanë munguar incidentet dhe përplasjet me policinë. Më shumë se 40 oficerë u plagosën ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar. Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në Shkup për të bindur Maqedoninë e Veriut që të miratojë propozimin francez ka ndezur shpirtrat. Qytetarët, megjithatë, janë të lodhur nga ndryshimi i emrit, kulturës, historisë, ata protestojnë sepse janë thellësisht të zhgënjyer nga Bullgaria dhe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Për shumë njerëz, Evropa nuk është më rruga e duhur. Edhe pse sondazhet e fundit në Shkup kanë zbuluar se 72,8 për qind e maqedonasve etnikë nuk e duan propozimin e Macron, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shkup, Kate Marie Byrnes i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut përmes një letre të hapur, që të pranojë propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Byrnes thekson se pranimi i këtij propozimi, do të sjellë hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. “Anëtarësimi në BE do ta bëjë vendin tuaj më të fortë. Anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, aq më pak pjesëmarrja në ato procese, është punë e vështirë dhe vjen me vendime të vështira. Por, pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë partnere dhe aleate tuaj të ngushta, në një dhomë me ju”, shkruan ambasadorja amerikane. Sipas saj, propozimi  francez nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe se përmbajtja e tij më shumë është teknike. Disa ditë më parë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez. Ai nënvizoi se RMV-ja është në një moment kyç të historisë së saj kur 17 vite pas statusit kandidat, po hapet mundësia që të fillojnë bisedimet me BE-në.

Paralajmërohet bllokim total në Maqedoni

Partia opozitare VMRO-DPMNE, ka bërë të ditur se do të bllokojë disa rrugë kryesore në vend. “Vazhdojmë me bllokada në mbarë Maqedoninë. Në katër vende, në Shkup para Qeverisë, si dhe bllokimi i rrugëve kryesore Shtip-Veles, Strumicë-Radovish dhe Pletvar-Prilep. I bëjmë thirrje masës që t’i thotë JO ultimatumit për bullgarizimin e Maqedonisë, JO brutalitetit dhe komisariateve, PO të ardhmes së Maqedonisë. Të shtunën nuk do të ketë protesta në shenjë respekti për bashkëqytetarët myslimanë që festojnë festën. Vazhdojmë të protestojmë masivisht në Shkup, të dielën në orën 19:00 para Qeverisë” thonë nga VMRO.

Pendarovski: Rusia po keqpërdor protestat e Shkupit

Gjithashtu, këto protesta po shihen edhe si të lidhura me Rusinë. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar dje se Federata Ruse po keqpërdor faktin se qytetarët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez. Pendarovski këtë koment e bëri gjatë një interviste në Tv21, ku mes shumë temave, foli edhe për situatën me protestat e opozitës maqedonase. Sipas tij, situata e sigurisë në Maqedoni sa vjen e po përkeqësohet. “Ajo që di dhe marr nga autoritetet e sigurisë është se ka elementë që na vijnë nga rajoni! Maqedonia aktualisht është nën sulme hibride të intensifikuara të ngjashme me nivelin që kishim në vitin 2018”, tha Pendarovski. Ai shton se kjo nuk ka të bëjë fare me protestuesit. “Palët e treta, konkretisht Federata Ruse, po keqpërdorin faktin se qytetarët po protestojnë në mënyrë legjitime kundër propozimit francez”, theksoi Pendarovsi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here