Filmi “Cuca e maleve” është prodhim i vitit 1974. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka publikuar një kuadër të filmit dhe shprehet se është xhiruar dekada më parë brenda në Kinostudio. “35mm kuadër nga filmi “Cuca e maleve” ( 1974) me regji të Dhimitër Anagnostit. Ky film me ngjyra i zhanrit muzikal u koreografua dhe xhirua i gjithi brenda ambienteve të Kinostudios “Shqipëria e Re””, thuhet nga AQSHF për filmin me regji nga Dhimitër Anagnosti, skenari Loni Papa, muzikë Nikolla Zoraqi, ku përmendim në role si aktorë pjesëmarrës Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Hajdar Shtuni, Albert Janku, etj. “Cuca e maleve” është një film muzikor sipas baletit me të njëjtin titull. Gjini, një malësor i pabindur është shkishëruar. Për këtë, vajza e tij mbetet e pa pagëzuar dhe pa emër. Cuca përkrahet vetëm pas Luftës Nacional Çlirimtare dhe fillon të punojë në kurset e para kundër analfabetizmit. Por bandat e fshehura, ku janë mbledhur edhe njerëz që kanë shkishëruar të atin, e vrasin. Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961. Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij ka realizuar mbi 14 filma artistikë, filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Dhimitër Anagnosti është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”.