Parisi, Gjeneva, Nju Jorku, Praga dhe Berati janë pjesë ekspozitës “City Landscape” me punime në pikturë nga Arben Golemi. Piktori i prezantohet këtë herë me një ekspozitë personale, që përmban punime të viteve 2006-2007. Ekspozita u hap me praninë miqve dhe kolegëve të piktorit dhe arkitektit Arben Golemi. Arkitektët Arben Biçoku, Armand Vokshi, Petrit Hazbiu kurator, etj, ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës në “Golemi Art Gallery”. Arben Golemi është një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar dhe në ekspozitën e tij vetjake “City Landscape” prezantohet me një përzgjedhje të punimeve të tij. Misteri i qyteteve të vogla, monumentet e tyre, grataçelat e metropoleve, por edhe imagjinata e tij janë pjesë e tablove. Piktori tregon se në këtë ekspozitë në punimet e tij mes qyteteve të tjera të botës, nuk mungon dhe Berati qyteti ku lindi dhe e nisi rrugëtimin e tij të artit. “Ekspozita “City Landscape” është me përmbajtje me të gjitha impresionet, që kam unë nga peizazhi arkitektonik i disa qyteteve të ndryshme përfshirë dhe qytetin tim Beratin. Janë Parisi, Gjeneva, Praga, Nju Jorku, Amsterdam, etj, një pjesë e mirë e qyteteve që kanë të bëjnë me peizazhin arkitektonik të vjetër po e quajmë, ku bën pjesë gotiku, baroku, etj. Është e përqendruar më të tepër në ato, që janë esenca kulmore e arritjeve të arkitekturës të këtyre qyteteve”, tregon piktori dhe arkitekti. Kjo ekspozitë sipas piktorit u organizua në bashkëpunim dhe me Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë dhe Fakultetin e Arkitekturës. “U bë në mënyrë të përbashkët dhe njoftuam miqtë dhe shokët arkitektë, që të ishin në ekspozitë”, tregon Golemi.
Ekspozita të tjera në vijim
Piktor dhe arkitekt, Arben Golemi këtë herë prezantohet me rreth 54 punime në pikturë. Ai tregon se kjo është ekspozita e parë, pas atyre që do të hapë në vijim siç shprehet ai në letër. “Unë e organizova ekspozitën në formën e një pinakoteke, që të kishte shumë piktura. Së dyti, kjo është ekspozita e parë nga 4, që do të hap unë në letër, të grafikave, të vizatimeve, akuareleve, etj. Një ekspozitë me punime që i përkasin viteve 2006-2007. Më pas do vijë një tjerë që do jetë me punime të 2009, 2010, etj, dhe do të mbyllen me ekspozitën e periudhës së kovidit”, tregon Golemi. Përballë mungesave të sallave për ekspozita që janë në Tiranë, këtë ekspozitë piktori Arben Golemi e hap në “Golemi Art Gallery”. Ai thotë se hapja e sallave të galerive ka rëndësi dhe kur ekspozon merr dhe mendimin e miqve dhe kolegëve për prurjet, në pikturë. “Unë kam studion time, por nganjëherë njerëzit nuk duhet të punojnë vetëm për vete. Në rastin kur ekspozon është tjetër gjë. Njeriu ka nevojë për mendimin e shokëve dhe të kolegëve, ku edhe në arkitekturë ashtu është. Hapja e galerive është e domosdoshme ”, thotë ai. Kultura e gjerë artistike, udhëtimet e shumta në Evropë, Japoni, SHBA, vizitat në muzetë botërore dhe kontakti me krijimtarinë e mjeshtrave klasikë dhe modernë bashkëkohorë ndikuan fuqishëm tek artisti në orientimin e tij drejt një arti modern, dekorativ, ku mbizotërojnë imazhe nga arkitektura dhe natyra.








































