Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shpërthyer ditën e djeshme në sulme dhe akuza të forta në adresë të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Përmes një statusi në rrjetet sociale, deputeti Braçe ka folur për blegtorinë, duke thënë se numri i lopëve që mbarështohen ka rënë ndjeshëm. Madje Braçe fajëson politikat e qeverisë si shkak për uljen e numrit të lopëve, deleve dhe dhive, teksa thotë se këtë gjë e ka paralajmëruar që në vitin 2018 kur ndryshoi TVSH për bujqësinë. “65 mije lopë më pak nga 31 dhjetor 2018! 250 mijë dele dhe 100 mijë dhi me pak nga 31 dhjetor 2018! 131 mijë tone qumësht më pak nga 31 dhjetor 2018! INSTAT ka publikuar të dhënat e blegtorisë për vitin 2021! Shikoni, e urrej të them “ju pata thënë”; Por rezulton e provuar gjithçka, madje këtë herë me të dhëna nga vetë Ministria e Bujqësisë! Në nëntor 2018, kur ndryshoi TVSH për bujqësinë, ju thashë e në fund edhe ika nga Komisioni i Ekonomisë, në Kuvend për tre orë me radhe u mundova të bindja për ta ndaluar pasojën, këtë qe e keni më lart në shifra! Nuk dëgjoi kush! Po tani? Do vijoni me “e fryn Erioni se nuk është kështu situata”? A ka vlerë fjala në këtë vend? Nëse ka, ndryshoni TVSH për bujqësinë që te mos humbim akoma me bagëti, akoma me ushqim! Duhet prodhuar në vend, duhet bërë tani”, shkruan deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Fermerët akuza ministres Krifca
Nga ana tjetër në një linjë me ish-zëvendëskryeministrin Erion Braçe, janë rreshtuar edhe fermerët, të cilët në kulmin e sezonit të korrjes së grurit, i kanë sytë te fabrikat e përpunimit dhe te qeveria, pasi sipas tyre, gruri kërkohet “për një copë bukë”. Madje ndërkohë që ka zëra se gruri këtë vit do të shitet më shtrenjtë, bujqit thonë se shtrenjtimi duhet të jetë aq sa të paktën të mbulojë të gjitha kostot. “Është shumë lirë për ne. me këtë çmim, nuk na leverdis të mbjellim. Më duket se duan ta marrin me 30 mijë. Ajo 45 mijë lekë nuk ka nxjerrë shpenzimet e veta. Kostot janë shumë të larta. Pjesën më të madhe e konsumojnë edhe vetë familjarët. Një pjesë e vogël shitet. 5 dynym sipërfaqe e mbjellë. Me kaq sa shitet ajo, nuk dalin dot shpenzimet tona. 36 mijë lekë të shitet kuintali. Nëse na e merr fabrika në Lushnje, mirë. Nuk është e drejtë të importohet grurë nga jashtë, ne nuk nxjerrim dot shpenzimet tona. Të gjithë kanë braktisur tokat. Ne do ta mbajmë grurin në shtëpi. Nëse del një çmim i mirë sepse ta japësh me 27 mijë lekë si vjet, nuk nxjerrim as lekët tona. Na leverdis të jetë 60 mijë lekë kuintali që të marrim lekët tona. Nuk është kultivuar gjithë toka, kemi mbjellë nga 3 dynym. Thonë që do ta blejnë me 40 mijë lekë, por nuk kemi leverdi fare”, deklaroi një bujk. Ndërkohë prodhimi i sivjetshëm sipas tyre nuk është fort i mbarë sepse shërbimi për të mbjellat nuk është bërë plotësisht prej çmimeve të larta. “Kam mbjellë 5 dynym grurë. Nuk e kemi korrur akoma. Janë shumë të larta kostot. Nuk është shumë i mbarë prodhimi sepse nuk i është bërë shërbimi siç duhet nga kostot e larta.
Sivjet s’ka qenë i mbarë sepse nuk kishim lekë për të hedhur plehrat e duhura. Prodhimin që dëshironim, nuk e kemi marrë. Një dorë pleh i kemi hedhur, duhen tre duar. Leverdi ka ai që do të hajë bukë. Plehu është 150 mijë lekë kuintali. Leverdia e vetme e fermerëve është që furnizojnë familjen dhe kalamajtë, pjesën tjetër e çojnë në shtet. Fshatari nuk ka fitim”, u shpreh një tjetër bujk. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Shqipëria vjet prodhoi 225 mijë ton grurë, duke mbuluar 50% të nevojave.