Google search engine
Home Aktualitet Festivali i muzikës klasike “Gjiro Classica” bën bashkë artistët shqiptarë dhe të...

Festivali i muzikës klasike “Gjiro Classica” bën bashkë artistët shqiptarë dhe të huaj, me koncerte dhe konkurs muzikor

0
216

Festivali “Gjiro Classica” në edicionin e radhës krijoi emocione të veçanta. Koncerte me vepra të autorëve të njohur, por dhe konkurs muzikor ishin pjesë e këtij edicioni në qytetin e Gjirokastrës. Festivali lindi si një domosdoshmëri për zgjerimin e skenave muzikore shqiptare në qytete të rëndësishme si Gjirokastra, qytet në UNESCO, një nga qendrat e rëndësishme kulturore dhe turistike. “Gjiro Classica” vjen si i vetmi festival i këtij lloji në Gjirokastër dhe drejtoresha artistike pianistja Kristina Petrollari Laço tregon se dhe ky edicion i dytë u përcoll me mjaft interes nga publiku. Një festival, që zhvilloi disa koncerte në ditë të ndryshme në Gjirokastër, ku pjesë e tij është dhe konkursi “Tempo”, që përfundoi me ndarjen e çmimeve për instrumentistët e rinj. Koncerte u zhvilluan në muzeun e kalasë, por dhe të tjerë u bënë te Pazari i Gjirokastrës. Artistë shqiptarë dhe të huaj ishin pjesë e këtij edicioni, një veprimtari muzikore me rëndësi për drejtoreshën artistike Kristina Petrollari, që shprehet se për publikun në programin e festivalit ishte menduar të jetë një muzikë e këndshme. “Në Gjirokastër nuk ka një traditë të muzikës klasike dhe është pak e vështirë. Gjithmonë mënyra e zgjedhjes së veprave është kërkuar të jetë e këndshme. Përshembull Dvorak trio,  që është një vepër me karakter popullor, Piazzolla -Stinët, pra vepra që të mundohemi fillimisht të afrojmë publikun dhe më pas të kalojmë muzikë klasike të mirëfilltë”, shprehet Petrollari. Presidente e festivalit “Gjiro Clasica” është mësuesja e pianos Mimoza Çabeli dhe drejtore artistike Kristina Petrollari Laço dhe Dorina Laro. Koncerti i hapjes së festivalit më 19 maj erdhi me katër artiste të mirënjohura të skenës shqiptare, ku u luajtën vepra nga Bach, Rachmaninoff, Dvorak dhe Piazzolla. Ishte në një mbrëmje me artistet Sihana Badivuku, Dorina Laro, Kristina Petrollari dhe Mimoza Çabeli. Në kuadër të festivalit u zhvillua dhe “Il Classicio Incontra Il Jazz” me artistët Besjan Herri, Luca Garlaschelli, Kristina Petrollari dhe Claudio Piastra, një koncert i veçantë te pazari i Gjirokastrës me vepra nga Diabelli, Morricone, Piazzolla dhe Bolling. Në vijim të aktivitetit, festivali u mbyll më 23 qershor me një koncert festiv me fëmijët e “Gjiro Classica”.

Festivali në traditë

Ky festival synon të kthehet në një traditë për këtë qytet. Me rëndësi sipas pianistes dhe pedagoges së arteve Kristina Petrollari ishte dhe konkursi muzikor për instrumentistët e rinj. “Këtë vit hapëm konkursin “Tempo” për fëmijë. Ka një shkollë modeste të muzikës në Gjirokastër. Janë kolege, që punojnë me shumë përkushtim. Ne mendojmë që sa më shumë të kenë mundësi fëmijët të interpretojnë aq më mirë është, sepse çdo muzikant rritet në skenë”, tregon ajo. Në këtë konkurs morën pjesë fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Pianistja Petrollari një emrat e njohur me aktivitetin e saj artistik në vendin tonë dhe me vlerësime për atë që përcjell para publikut, shprehet se ky konkurs do të jetë traditë në festival. “Një konkurs që do të bëhet gjithmonë në Gjirokastër, në 15 ditëshin e fundit të muajit maj. Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me TID Gjirokastra. “Gjiro Farm” ka dhënë çmimet e mëdha të tre instrumentistëve në konkurs”, tregon Petrollari. Festa finale e trofeve u zhvillua  më 22 maj në muzeun te kalaja në Gjirokastër. Dario Konçi mori trofeun “Margarita Kristidhi” në piano, Marion Kame në violonçel me çmimin “Gëzim Laro” dhe Vesa Duma u vlerësua me çmimin “Ibrahim Madhi” në violinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here