Ish deputeti Halit Valteri duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës që ka nisur kundër presidenti në ikje, Ilir Meta, ndërsa ka paralajmëruar fund të hidhur për Kreun e Shtetit. Kështu, pas Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dje ish-deputeti Valteri u ka dorëzuar të gjitha ambasadave të vendit, provat që ai disponon kundër presidentit Meta, sa i takon përfshirjes së tij në afera, sikundër është ajo që publikoi pak ditë më parë gazeta austriake që ka lidhe me 700 mijë ero lobime. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Valteri theksoi dje se partnerët tanë ndërkombëtare duhet të jenë të informuar për aferat korruptive të Metës.Sipas tij, reforma në drejtësi nuk duhet të mbetet në vend, por duhet të justifikojë investimin e ndërkombëtarëve dhe të veprojë. “Sot u njoftuan të gjithë Ambasadat partnere të vendit tonë për zullumet e Haxhi Qamilit (Meta) të kohëve moderne! Reforma në drejtësi të mos mbetet në letra, por të justifikojë investimin e partnerëve tanë”, shkruan Valteri. Kujtojmë dy ditë më parë presidenti në ikje është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria Speciale, ku do të hetohet për pastrim parash me kontrata lobimi, fshehje të shpenzimeve financiare të partisë, mashtrim në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve. Kështu, gazeta ka mësuar se Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka regjistruar procedimin penal pa emër pas kallëzimit të referuar nga ish deputeti Halit Valteri ndaj Ilir Metën për lobim me paratë e korrupsionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
Konfirmohet lobimi 700 mijë USD
Por me lëvizjen e fundit që ka ndërmarrë Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit,dokumentet e publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar disa ditë më parë nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017.Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
LSI nuk justifikon burimin e të ardhurave sipas KQZ
Po ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë McKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”? A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulencëme kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një raporti, ka konstatuar se LSI nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash as kontratën e dytë, atë me kompaninë MCKEON GROUP, me vlerë 1.9 milionë lekë.
Meta-Kryemadhi akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash
Ndërkohë në kallëzimin që Valteri ka bërë në SPAK dhe që gazeta e disponon të plotë, ish-deputeti hedh akuza të forta në adresë të presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët sëbashku me dy persona të tjera i akuzon se kanë kryer disa vepra penale, sikundër janë korrupsionit, deklarimi i rremë, evazion fiskal dhe pastrim parash. “Objekti: Kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj shtetasve të sipërpërmendur, për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/b i K.Penal; “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” parashikuar nga neni 181 i K.Penal; “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal”, thuhet në padi.