Britania “plas bombën”, politikanët shqiptarë po pastrojnë paratë e korrupsionit në Londër, paralajmëron se shumë shpejt do i bëjë publike emrat

0
182

Ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, të cilët ka fshehur milona euro, dollarë dhe paund jashtë shtetit. Vitet e fundit gazeta “SOT” ka denoncuar disa raste që politikanë shqiptarë kanë pastruar paratë e vendosura në rrugë korruptive dhe kriminele në vende të ndryshme të botës, sikundër janë ato vende që konsiderohen “Parajsa Fiskale”, ndërkohë që në listë janë edhe vende si Qipro, Zvicra, Gjermani dhe Britania e Madhe. Por duket se kjo rrugë e ndjekur nga “mamuthët” e korrupsionit që i kanë pirë “gjakun” popullit shqiptarë, duke grabitur pronat dhe pasuritë publike, ka rënë në radarët e autoriteteve ligjzbatuese, të cilat kanë nisur tashmë gjuetinë kundër tyre, me qëllim zbulimin dhe konfiskimin e të gjitha pasurive monetare dhe të paluajtshme që nuk justifikojnë burimin, në vende të ndryshme të botës. Një prej vendeve që ka dhënë sinjale se ka rënë në gjurmët e pasurive korruptive është Britania e Madhe. Ka qenë ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, i cili duke folur në Konferencën e Parë Kombëtare të Antikorrupsionit që u zhvillua në Tiranë, zbuloi se politikanët shqiptarë po pastrojnë partë e korrupsionit në Londër, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt autoritetet madje do i bëjë publike emrat. “Një nga gjërat më të trishta për mua që kur kam ardhur si ambasador është të dëgjoj nga të rinjtë se ata mendojnë se nuk kanë të ardhme në këtë vend. Pasi çështje si korrupsioni nuk i lejojnë të përmbushin plotësisht potencialin e tyre këtu. Për ta ndryshuar këtë situatë, dua t’i nxit të gjithë të kenë më shumë guxim dhe vendosmëri, veçanërisht rreth çështjeve të mosndëshkimit dhe llogaridhënies. Angazhimi im ndaj jush është se ne do të përforcojmë veprimet e Mbretërisë së Bashkuar për të parandaluar që persona të përfshirë në korrupsion ose krim të shkojnë në Britani ose të mbajnë paratë e tyre atje. Dhe do të dëgjoni më shumë nga ne për këtë gjatë muajit të ardhshëm dhe më tej. Tani duhet të punojmë së bashku, në partneritet me autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare. Kjo duhet të jetë një pjesë thelbësore e përpjekjeve tona të përbashkëta”, deklaroi ai.

Ambasadori britanik flet për korrupsionin në Shqipëri

Ndërkohë dy ditë më parë ambasadori britanik Alastair King- Smith ka ngritur alarmin për “lulëzimin” e korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- Mbretëri e Bashkuar, ambasadori Alastair King- Smith organizoi një takim në bibliotekën e Kryeministrisë për të folur rreth marrëdhënieve mes dy vendeve aktuale dhe historike. Ai theksoi se krimi i organizuar dhe emigracioni dhe korrupsioni janë ato arsye që sipas Alastair King- Smith nuk po e lenë Shqipërinë që të ketë një përmirësim me ritme të shpejta. Ambasadori tha se angazhimi për tu marrë me to do të përforconte edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.“Unë mendoj që niveli i bashkëpunimit që ju do të shihni mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë do të rritet. Shqipëria ka një të ardhme të ndritur. Por do ta ketë më të mirë nëse ja del me sfidat, korrupsionin, krimin e emigracionit. Nëse ja dilni me këto , në vend të një përmirësimi të ngadaltë do të keni një përmirësim sinjifikant”, u shpreh ai.

King-Smith flet për emigracionin e paligjshëm

Megjithatë ambasadori nuk la pa përmendur që emigracioni dhe krimi janë kthyer në një problem të rëndësishëm dhe një sfidë për t’u përballur. “Ndihem shumë me fat që jam këtu. Do të jem edhe për katër vitet e ardhshme. Qeveria juaj por edhe qeveria jonë janë të vendosura që kjo marrëdhënie të jetë më e rëndësishme se sa ka qenë deri tani. Sfida kryesore është krimi i emigracionit. Edhe pse jashtë Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për miqtë e saj më të mirë Miq që ndajnë vlerat demokratike, vlerat ekonomike dhe sigurisht Shqipëria është një ndër to”, nënvizoi ambasadori Alastair King- Smith.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here