Shqipëria e nis me barazim aventurën e këtij edicioni në Ligën e Kombeve, pasi barazoi mbrëmë ndaj Islandës 1-1, duke marrë vetëm 1 pikë. Ndeshje pozitive që nuk iu përgjigj rezultati i lojës. Në një stadium të vogël në Rejkjavik, përfaqësuesja kuqezi kishte objektiv të dilte me tri pikë nga kjo përballje, nisur dhe nga pritshmëritë e larta të saj në këtë fazë të Ligës së Kombeve. Në grupin e dytë, siç dihet, Rusia është përjashtuar dhe rivaliteti për vend të parë bëhet midis tri skuadrave të tjera, Shqipërisë, Islandës dhe Izraelit. Dy rivalët e kuqezinjve kishin barazuar me njëri-tjetrin në takimin e parë, kurse mbrëmë në Rejkjavik Shqipëria do të bënte maksimumin për të marrë trepikëshin. Pjesa e parë e ndeshjes foli totalisht për ekipin tonë përfaqësues, i cili diti të organizohet si duhet në mesfushë dhe bashkërendoi mirë punën ofensive me lojtarët e sulmit, duke krijuar shumë raste dhe duke e dominuar dukshëm takimin. Seferi ishte pozicionuar në sulm me Cikalleshin, por më aktivë në këtë pjesë ishte Abrashi që doli disa herë para portës dhe madje ishte thuajse protagonist absolut në minutën e 30-të kur u shënua goli i epërsisë nga kuqezinjtë, me autor pikërisht Taulant Seferin. Pjesa e parë e takimit do të mbyllej kështu 1-0 për tanët, ndërsa portieri Berisha thuajse nuk pati punë.
Barazojnë Islandezët
Situata ndryshoi menjëherë me fillimin e pjesës së dytë, pasi Thorsteinson barazoi shifrat 1-1 në të 49, duke kthyer në ekuilibër gjithçka. Ishte një gafë e Gjimshitit që i kushtoi skuadrës tonë. Minutat në vazhdim Shqipëria dominoi lojën në mesfushë, por islandezët u treguan të saktë në aspektin mbrojtës, duke mos lejuar hapësira. Duke parë këtë, trajneri Edi Reja bëri ndryshime pas minutës së 70-të, duke futur në fushë Asllanin, Ramadanin, Balajn, Veselin dhe Vrionin, duke gjallëruar disi lojën sulmuese por goli do të mungonte, pasi Islanda u rreshtua prapa me shumë forca. Përpjekjet e Asllanit në të majtë të mesfushës, kombinuar dhe me depërtimet e Balajt e Cikalleshit, të mbështetur dhe nga mesfusha, nuk dhanë ndonjë efekt pozitiv, edhe pse dominimi i skuadrës tonë në të gjithë treguesit sportivë ishte i dukshëm. Minutat e fundit loja u zhvillua në zonën e islandezëve, por kuqezinjve u mungoi jo vetëm freskia, por edhe kthjelltësia në veprime, duke mos ia dalë dot të shënojnë golin e fitores. Mbyllet kështu në barazim 1-1 ndeshja e parë e Shqipërisë në grupin e dytë eliminator të Divizionit B të Ligës së Kombeve, me vetëm nga një pikë për të dyja skuadrat, por natyrisht “humbje” për përfaqësuesen tonë e cila po e fitonte ndeshjen në pjesën e parë dhe ishte superiore në fushën e lojës krahasuar me rivalin.
Me Izraelin luhet në Tiranë
Më datën 10 qershor Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në grup, duelin me Izraelin, një takim i planifikuar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Në këtë ndeshje tanëve u del detyrë me patjetër të fitojnë, pasi në të kundërt rrezikohen objektivat që kanë kuqezinjtë në Ligën e Kombeve.








































