Koncerti për violinë dhe orkestër “Love” shkruar nga kompozitori Aleksandër Peçi do të luhet premierë botërore të premten. Premiera vjen nën interpretimin e virtuozit 25-vjeçar i famshëm në botë, Elvin Hoxha Ganiyev, shoqërua nga orkestra e RTSH-së me dirigjentin turk Murat Cem Orhan, ndërsa drejtor artistik është Aristidh Prosi. Kompozitori i njohur Aleksandër Peçi lajmin për këtë koncert e ka bërë me dije dhe në Facebook, ku shpjegon dhe çfarë përmban “Love”, që është koncert për violinë dhe orkestër. Sipas tij, një teknikë kompozicionale për herë të parë përdoret në muzikë, një superpozicion i temës mbi strukturën dhe kjo ndodh në kohë të parë e të dytë. “Tema- motivi janë materia bazë e klasicizmit. Struktura është materia bazë e strukturalizmit në muzikën kontemporane. Struktura e toneve, shtylla kurrizore e veprës është mëma, tema është bija, e cila ka lindur prej saj. Një teknikë e re një gjetje e re e origjinale, e cila vjen për herë të parë, që askund se kam parë për të sjellë një filozofi dhe estetikë ndryshe”, tregon kompozitori. Peçi shprehet se është pikërisht ajo që kërkon, të shkëmbejë unazat midis klasicizmit dhe strukturalizmit, midis melodizmit dhe strukturalizmit. “Midis rrënjëve klasike dhe fruteve moderne, duke mbivendosur temën mbi strukturën, e të krijojë një kontrapunkt me të njëjtët tinguj, por që bien në kohë të ndryshme, për të mbërritur një grand music dhe jetëgjatë. Është ky një leksion, që na vjen nga klasicizmi”, shprehet kompozitori Peçi. Aleksandër Peçi është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Veprat e tij luhen me sukses brenda dhe jashtë vendit, por në aktivitetin e tij kompozitori Aleksandër Peçi është dhe themelues i festivalit ndërkombëtar “Pianodrom”, që bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj.








































