Vetëm 5 ditë pas arrestimit të noterit Aleko Anagnosti, zyra e tij e punës në lagjen nr.1 në Sarandë është përfshirë nga flakët. Një person i paidentifikuar ka shqyer portën e zyrës gjatë natës dhe ka djegur dokumentet. Kjo vjen pasi Anagnosti është në arrest me burg për 45 ditë derisa Prokuroria të çojë prova të tjera në gjykatë për tjetërsimin e pronave në Sarandë. Pasi dokumentet u dogjën, Prokuroria mori vendimin që ta vinte në sekuestro zyrën e Anagnostit, ku policia është urdhëruar që të ekzekutojë vendimin.
Në zyrën e djegur, kishte edhe dokumenta të noterëve të tjerë
U bë me dije se ka qenë një autor i cili ka hyrë në zyrën e noterit dhe ka vendosur zjarrin, duke djegur një sasi të madhe dokumentash. Në zonë ka një numër të madh kamerash sigurie, të cilat kanë fiksuar autorin e maskuar dhe po punohet për identifikimin e tij. Në zyrën e Aleko Anagnostit, janë gjetur dokumente të noterëve të tjerë. Burime për mediat bënë me dije se në zyrën e noterit përveç dokumentëve të tij ndodhej edhe gjithë dokumentacioni i ish-noterit Artan Lulaj, i cili ka ushtruar edhe detyrën e Prokurorit në Tiranë. Po ashtu një pjesë e dokumentacionit është e ish-noteres Ermioni Gjoka, bashkëshortja e ish-kryetarit të bashkisë Sarandë Edmond Gjoka, në vitet 2003-2011. Ermioni Gjoka më parë ka qenë notere shteti, e më pas ka punuar në privat. Anagnosti ka arkivën e pjesës së noteres së shtetit. Policia prej disa orësh po vazhdon këqyrjen e vendit të ngjarjes për të përcaktuar dëmet e shkaktuara ndërkohë që njëkohësisht po kryhet dhe sekuestrimi i zyrës me urdhër të prokurorit. Për shkak e noteri ndodhet në paraburgimin e Sarandës, në vendngjarje është paraqitur nëna e tij e moshuar.
Anagnostit i arrestuar për tjetërsimin e 10 mijë metra katrorë tokë
Në skemën e tjetërsimit të pronave janë të përfshirë edhe zyrtarë e biznesmenë të tjerë. Një sipërfaqe prej 10 230 m2 tokë shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi “gatuar” në zyrat e shtetit iu dha dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli. Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë. Në krye të listës ishte ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. Urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria. Po kështu në kërkim janë shpallur dy vëllezër, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false. Vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Por përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga Bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar te persona të tretë.








































