Më 3 qershor 2022 në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës, u vra me armë zjarri Naim Bajri, 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Biznesmeni i peshkut u ekzekutua mëngjesin e dy ditëve më parë në afërsi të merkatës në lagjen rus, teksa ishte duke pirë kafen me punëtorin e tij, i cili po ashtu mbeti i plagosur.
Në drejtim të Bajrit u qëllua me 10 plumba, nga dy persona të maskuar, ndërkohë që makina e autorëve u gjet e djegur disa minuta pas ngjarjes në Baypassin e Shkodrës. Burime nga grupi hetimor deklarojnë për mediat se autorët janë ende të paidentifikuar, por kamerat e zonës kanë kapur itinerarin e tyre.
Naim Bajri është viktima e radhës e përplasjeve me armë mes fiseve të forta të Shkodrës.
Autorët e atentatit janë afruar në lokalin ku po pinte kafe Bajri me punëtorin e tij kanë ulur xhamin e mjetit dhe më pas kanë hapur zjarr. Menjëherë pasi kanë përfunduar qëlluar me armë, atentatorët janë larguar në drejtim të zonës së Livadheve në Kiras ku kanë djegur dhe makinën tip “Benz”.
Kamerat e zonës kanë kapur të gjitha lëvizjet e tyre, por nuk dihet nëse është bërë e mundur që të identifikohen fytyrat e autorëve. Lidhur me ngjarjen ka dhjetra persona të shoqëruar por asnjë nuk ka dhënë asnjë informacion që mund të çojë në zbardhjen e shkaqeve të atentatit.
Kujtojmë se 20 vite më parë, Naim Bajrit i kanë marrë jetën djalit të tij, Indritit. Më konkretisht në 21.10.2001, shtetasi, Xh.Shega, në bashkëpunim me shtetasit Ilmir Hajdari dhe Kujtim Barbullushi, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Indrit Naim Bajri.