Qeveria ka miratuar vendimin në të cilin, qytetarët që kanë fituar gjyqin pasi janë hequr nga puna do të kompensohen. Vendimi u miratua dje dhe udhëzimi detyron administratën shtetërore, të heqë dorë nga 3.800 çështje për të cilat kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër ish-nëpunësve që kanë fituar në 2 shkallët e drejtësisë deri në 40 paga minimale dëmshpërblim. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se vendimi u mor për të lehtësuar stokun me më shumë se 35 mijë dosje në Gjykatën e Lartë, që është shkaktuar kryesisht nga mungesa e gjyqtarëve që janë shkarkuar nga vetingu.“Me këtë udhëzim, sapo të hyjë në fuqi, ne presim që Gjykata e Lartë të lehtësohet nga rreth 3800 dosje që presin të gjykohen, ndërkohë 1 mijë të tjera janë akoma në proces. Prej katër vjetësh, stoku i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë, është raportuar si problematik. Ky stok dosjesh nuk lindi sot, ka ekzistuar edhe në kohën kur Gjykata e Lartë funksiononte me kapacitet të plotë, por erdhi dhe u rëndua pas boshatisjes së Gjykatës së Lartë për shkak të procesit të vetingut, ku nga 19 gjyqtarë, me dorëheqje, apo për shkak të largimit prej procesit të vetingut, Gjykata e Lartë, për disa kohë ishte jo funksionale”, ka thënë Manja, duke shtuar më tej se tashmë situata ka ndryshuar, teksa në Gjykatën e Lartë ushtrojnë funksionet 13 gjyqtarë, ndërkohë që janë në proçes nga Këshilli i Lartë Gjyqësor edhe plotësimi i vakancave të tjera.
Manja: Jo më tepër sesa 40- fishi i pagës minimale
Ndërkohë, ministri Ulsi Manja deklaroi se do të hiqet dorë edhe nga çështjet me natyrë administrative që kanë të bëjnë me ndryshim, shfuqizim, apo konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve administrative, apo kur detyrohet organi administrativ për të nxjerrë aktet. Ai tha se në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40- fishi i pagës minimale.“Kushti i vetëm për heqjen dorë nga rekurset, ka të bëjë me vlerën e disponimit të gjykatës. Në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40- fishi i pagës minimale”, ka shpjeguar Manja, i cili ka falënderuar për bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë për nxjerrjen e këtij udhëzimi Gjykatën e Lartë, Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Sipas tij edhe me ndihmën e USAID, Gjykata e Lartë ka nisur lehtësimin e stokut, por megjithatë ai vazhdon të mbetet i lartë, ndërkohë që udhëzimi i miratuar nga qeveria, është një lehtësim i madh për punën e gjykatës. Manja ka sqaruar se udhëzimi ka të bëjë jo vetëm me administratën shtetërore, por edhe me shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50 për qind të aksioneve, apo të kuotave. Përgjithësisht rekurset nga duhet hequr dorë kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, me njohjen, apo vërtetimin e vjetërsisë në punë, apo në paditë me shpërblim dëmi. Po ashtu udhëzohen të heqin dorë edhe nga paditë e tjera, ku pavarësisht kërkimeve shteti e ka humbur në të dy shkallët e gjykimit çështjen.








































