Kina po jep sinjale se ka braktisur totalisht Rusinë. Lëvizjet e saj të fundit i kanë dhënë goditje tronditëse Presidentit rus Vladimir Putin. New York Times, duke cituar kompaninë e sigurisë kibernetike Check Point ka zbuluar se hakerët kinezë u përpoqën të vidhnin të dhëna dhe informacione të mbrojtjes ruse. Më 23 mars, disa shkencëtarë dhe inxhinierë nga institutet ushtarake ruse morën email nga ministria ruse e shëndetësisë me titull “lista e njerëzve nën sanksionet e SHBA-së për pushtimin e Ukrainës”. Megjithatë, emailet nuk erdhën nga Ministria Ruse e Shëndetësisë: dërguesi ishte në fakt një grup hakerash nga Kina, të cilët donin të përpiqeshin të bindnin marrësit të hapnin dhe shkarkonin dokumentin që përmbante një virus. Incidenti tregon se si Pekini përpiqet të spiunojë Rusinë dhe nxjerr në pah marrëdhëniet e ndërlikuara midis dy vendeve që janë bashkuar kundër SHBA-së, thekson New York Times. Sapo filloi lufta, Rusia ishte e bindur se mund të mbështetej në të paktën një aleat, por sot siguritë zhduken. Nga ana tjetër, Pekini nuk po bën asgjë për t’i dhënë dorën Moskës: nuk po blen naftën e saj dhe shumë kompani teknologjike kineze po mbledhin “plaçkat” për të lënë vendin e Carit. Lucio Caracciolo, një ekspert gjeopolitik dhe themelues i revistës Limes, ka përshkruar një skenar në të cilin presidenti rus po shfaqet gjithnjë e më i izoluar. Humbjet e vazhdueshme në fushën e Ukrainës po e bëjnë Xi Jinping të besojë, si shumë të tjerë, se konflikti nuk po i buzëqesh Putinit. Rusia dukej se ishte një partner thelbësor për sigurinë e Kinës. Gabimet e pabesueshme të bëra nga Rusia në fushatën e Ukrainës i kanë dëmtuar këto kushte”, u shpreh eksperti.






































