Është zbardhur vendimi i qeverisë lidhur me procedurat që do të ndiqen për marrjen e pensionit suplementar pas mbylljes së sporteleve në vend. Në vendimin e qeverisë bëhet me dije, se pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera dhe në nëntokë do të jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili sipas vendimit e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, përmes portalit “e-Albania”. Po ashtu, në njoftim theksohet, se dokumentet shoqëruese dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin personi.“Për një ndryshim në vendim nr 78, datë 28.1.2015, të Këshillit të ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, Vendosi: 1. Paragrafi i parë, i pikës 1, të kreut III, të vendimit nr. 78, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, si më poshtë vijon: “Në zbatim të nenit 7, të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, ndërsa dokumentet shoqëruese dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin”. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendim.
Procedura për pensionin e pilotëve fluturues
Ndërkohë, pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama që sportelet e gjendjes civile do të kalojnë online nga data 1 maj, qeveria ka zbardhur një sërë shërbimesh duke filluar nga aplikimi për pension, të cilët do të jenë të aksesueshëm në “e-albania”. Sa i përket pensionit të pilotëve fluturues në pension, në vendim e qeverisë bëhet me dije se personi i interesuar, paraqet kërkesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: 1. Pika 1, e vendimit nr.53, datë 29.1.2004, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Personi i interesuar, për efekt të llogaritjes, caktimit dhe pagesës së shtesës mbi pension, si trajtim i veçantë financiar, në zbatim të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, paraqet kërkesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.









































