Google search engine

    Fondi Shqiptaro-Amerikan garanton se pronësia e parkut të Butrintit nuk ndryshon, Zhupa hedh akuza se po bëhen përfitime ekonomike në kurriz të trashëgimisë kulturore

    0
    254

    Fondi Shqiptaro-Amerikan garantoi se pronësia e parkut kombëtar të Butrintit nuk ndryshon, por deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa akuzoi për përfitime. Deklarata për shtyp e Fondit Shqiptaro-Amerikan  mbi menaxhimin e integruar të parkut kombëtar të Butrintit solli reagimin e deputetes së PD. Zhupa u shpreh se paratë që propagandohen si “bamirësi” i duhen fondacionit për përfitime në kurriz të trashëgimisë kulturore.  “5 milionë dollarë, që propagandohen si “bamirësi” për Butrintin nga fondacioni nuk janë gjë tjetër veçse paratë fillestare që i duhen vetë fondacionit për të ndërtuar struktura si qendër vizitorësh, bare, restorante që më pas do i përdorë për përfitime ekonomike dhe në kurriz të trashëgimisë kulturore!”, shprehet Zhupa. Sipas deputet së PD në marrëveshje tregohet, që nevojitet një investim total kapital prej 7.5 milionë USD, ku 39 për qind e të cilit do të shpenzohet për konservimin e sajtit dhe 61 për qind për ndërtimin e strukturave të reja për vizitorët dhe stafin. “Pra 2.9 milionë dollarë i duhen sitit edhe sipas vetë marrësve të konçensionit për konservimin e tij. 4.6 milionë dollarë duhen për ndërtimet e reja nga të cilat do shkatërrohet parku, por do pasurohet privati! Pra privati nuk dhuron asgjë, thjesht fut shumën e investimit në një biznes të ri shumë fitimprurës për veten e tyre. Aktualisht Butrinti ka në arkën e tij 2 milionë dollarë, që janë mjaftueshëm për të bërë konservimin e sitit dhe plus të paktën 1.5 milionë dollarë që janë minimumi nga të ardhurat e pritshme deri në fund 2022, edhe pa ndryshuar çmimet e biletave siç parashikon fondacioni”, shprehet deputetja Ina Zhupa.

    Reagimi i fondit

    Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipërmarrjeve (AAEF) në lidhje me debatin për parkun e Butrintit tha se AADF ka kontribuar në parkun kombëtar të Butrintit që prej vitit 2009. “Qëllimi ynë është të mbështesim ruajtjen, promovimin dhe menaxhimin e Butrintit si siti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë, institucionet shqiptare, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, Fondacioni ka sjellë një nga modelet më të suksesshme për trashëgiminë kulturore në Butrint. AADF ka kontribuar 1.2 milionë USD për instalimin e kamerave, infrastrukturës turistike dhe tabelave, rehabilitimin mjedisor të rrugës së re, sistemet e biletave elektronike dhe zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar”, thuhet në njoftim. Faza e dytë e angazhimit të AADF ndaj Butrintit vijon njoftimi, synon të mbështesë dhe të ruaj parkun në afatin e gjatë. “AADF mbështeti hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit (IMP), i cili iu dorëzua për konsultim Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO). Plani u rishikua nga dy organet konsultative të UNESCO, ICOMOS dhe ICCROM, dhe u miratua nga qeveria e Shqipërisë. Pronësia dhe kontrollin mbi Butrintin, ashtu si me të gjitha sitet kulturore në Shqipëri, nuk ndryshon. IMP siguron arkitekturën e nevojshme për mbrojtjen e parkut, promovon transparencën dhe garanton që të ardhurat e krijuara të përdoren për zhvillimin e tij në përputhje me standardet e një siti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, thuhet në njoftim. Në vijim thuhet se pas miratimit të planit nga qeveria e Shqipërisë, AADF do të kontribuojë me 5 milionë USD të tjera.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here