Google search engine
Home Sport Surprizë, Murinjo do Asllanin tek Roma, Napoli i vë syrin Muçit

Surprizë, Murinjo do Asllanin tek Roma, Napoli i vë syrin Muçit

0
259

Lojtarët e rinj të Kombëtares kanë marrë një vëmendje të shtuar kohët e fundit dhe këtë e dëshmojnë me artikujt e tyre thuajse të përditshëm mediat sportive italiane. Bëhet fjalë për dy lojtarë të momentit që mund të ndryshojnë skuadër, konkretisht Kristjan Asllani dhe sulmuesi Ernest Muçi. Ky i fundit luan në Poloni me Legian e Varshavës, por është paralajmëruar një ndryshim destinacioni në verë. Ndërkohë, Kristjan Asllani është autor i një sezoni të shkëlqyer në nivelin më të lartë të futbollit në Itali, Serie A. Mesfushori shqiptar që aktivizohet në radhët e Empolit, edhe pse pa eksperiencë në elitë, nisur edhe nga mosha 20-vjeçare sërish ia ka dalë të bëjë për vete disa nga klubet më të mëdha italiane. Napoli prej kohësh është në ndjekje të Asllanit, ndërsa sondazhe për lojtarin kuqezi kanë bërë edhe Juventus, Milan e Inter. Mirëpo, së fundmi është Roma ajo e cila është futur seriozisht në garë për kartonin e Kristjan Asllanit me trajnerin Hoze Murinjo që është në kërkim të një mesfushori organizator për sezonin e ardhshëm. Verdhekuqtë të cilët janë në gjysmëfinalen e Conference League dhe kërkojnë të mbërrijnë në finalen e Tiranës, kanë arkëtuar një sasi të konsiderueshme parash gjatë kësaj kohe nga pjesëmarrja në Europë dhe drejtuesit kanë vendosur t’i shpenzojnë në merkato. Aktualisht, për Asllanin, Empoli kërkon të paktën 10 milionë euro dhe Roma është e gatshme në këtë pikë të përmbushë kërkesën e toskanëve. Ndërkaq, elozhet për Asllanin nuk janë kursyer as nga trajneri i tij te Empoli, Andreazoli i cili thekson se mesfushori ka shumë kualitet dhe vizion në këmbët e tij. “Asllani është i lindur për të qenë kampion, ka kualitet dhe vizion në këmbët e tij. Jam i sigurt për këto fjalë. Është një lojtar që luan me mend në kokë, shumë interesant dhe ne jemi të lumtur për të. Nuk është rastësi që Asllani shpërthen sa herë që i japim mundësinë, edhe kur luan futboll në tavolinë tenisi kërkon gjithnjë të jetë i pari”, u shpreh Andreazoli. Kujtojmë se trajneri i kombëtares Edi Reja i dhuroi debutimin Kristjan Asllanit në ndeshjen miqësore të muajit mars ndaj Spanjës. Lojtari mori vlerësim të mirë për paraqitjen që bëri, ndërsa është shumë i kërkuar në treg.

Napoli i vë syrin Muçit

Projektohet transferimi i bujshëm në Serinë A të një prej futbollistëve më premtues të Kombëtares Shqiptare. “Sportmediaset” raporton këtë të premte se Napoli është në kërkim të një trekuartisti dhe ka piketuar për këtë rol Ernest Muçin, ish-lojtarin e Tiranës, pjesë e Legias së Varshavës që nga shkurti i vitit të kaluar. Në fakt, 20-vjeçari kuqezi, me kontratë deri në vitin 2025 në Poloni, është përplasur me Napolin sezonin e kaluar në fazën e grupeve të Europa Legue dhe me sa duket pikërisht në sfidën e dyfishtë në këtë kompeticion (sidomos në Napoli, ku luajti për 80 minuta) europian është pëlqyer nga drejtuesit e skuadrës napolitane. Mediet pranë Napolit theksojnë se Muçi po vëzhgohet prej kohësh nga drejtori sportive i Napolit, Guintoli, që e konsideron shqiptarin një lojtar “jolly” për fazën sulmuese, pasi mund të luajë si anësor, por edhe si trekuartist. Gjithashtu Muçi vlerësohet si një lojtar mjaft teknik dhe me gjuajtje të kalibruar nga distanca.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here