Google search engine
Home Aktualitet Shfaqja “Çimka”, regjisorja Zana Hoxha: Ne kemi zgjedhur të bëjmë një udhëtim...

Shfaqja “Çimka”, regjisorja Zana Hoxha: Ne kemi zgjedhur të bëjmë një udhëtim në kohë, dy histori, dy realitete

0
248

Shfaqja “Çimka” shënon premierën në ambientet e muzeut “Shtëpia me gjethe”. Ngjarja në shfaqje është e bazuar në personalitete si disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa. Me autor Shpëtim Selmani dhe nën regjinë e Zana Hoxhës shfaqja bën bashkë artistët nga Shqipëria dhe Kosova. “Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. Një ditë më parë regjisorja Zana Hoxha tha se ishte një sfidë puna me shfaqjen teatrore. “Shfaqja ka ardhur si një sfidë, të cilën unë e kam pranuar si një dëshirë për të trajtuar temën e përgjimeve dhe një pjesë të historisë, që dhe shqiptarët e Kosovës kanë qenë të përgjuar nga Jugosllavia”, tha regjisorja. Vepra do të jetë premierë më 1 maj për të vijuar dhe në net të tjera për publikun në Tiranë. Regjisorja Zana Hoxha thotë se vjen një udhëtim në kohë. “Kjo shfaqje është eksperimentale, ju si publik nuk do të vini dhe të ndiqni shfaqjen nga fillimi në fund ulur, mirëpo në fakt ne kemi zgjedhur të bëjmë një udhëtim në kohë. Me dy personazhe njëra nga Shqipëria Musine Kokalari dhe nga Kosova zoti Dervish Shaqa. Dy dialekte, dy histori dy realitete”, tha ajo mes të tjerave. Zana Hoxha e lindur në Kosovë, studioi në Akademinë e Arteve në  Prishtinë. Është regjisore e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë në Qendrën për Art dhe Komunitet – ArtPolis që nga viti 2004, organizatë kjo që promovon artin dhe diveristetin me dialog social dhe integrim të komunitetit. Ka krijuar më shumë se 20 performanca teatrore të cilat janë prezantuar në skenat teatrore më të mëdha të Kosovës, në regjionin e Ballkanit (Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci), njëherësh ka prezantuar punën e saj si artiste/aktiviste/trajnere edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

 Aktorët në shfaqje

 Shfaqja “Çimka” është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor. Aktorë janë Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari. Kompozitor Liburn Jupolli, skenografia dhe kostumet janë nga Youliana Voykova – Najman. Asistentë regjie Greta Baci dhe Kevin Rrapaj. “Çimka” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj. E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vetë “Shtëpia e gjetheve”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperimentale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960. Shfaqja është një krijim dhe bashkëproduksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet- Artpolis -Art and Community Prishtinë. Pas premierës së 1 majit në muzeun kombëtar “Shtëpia me gjethe” në Tiranë, shfaqjet e tjera janë në datat 4-5-6-7-11-12-13-14-15 maj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here