Sulmuesi egjiptian ka pasur disa sezone radhazi në top-formë, i tillë ishte dhe sezoni aktual, ku ai veçohet si më i miri i vitit
Të rrallë janë lojtarët fjalëpak e punëshumë sikurse është Mohamed Salah, futbollist i madh egjiptian që po shkruan histori me Liverpulin në Premier League. Ndërkohë, bomberi skuadrës së kuqe angleze është zgjedhur futbollisti më i mirë i viti në Angli. Këtë vlerësim ylli i Liverpulit e mori nga gazetarët, të cilët e shpërblyen formën e tij të jashtëzakonshme. Futbollisti egjiptian i mori 48 për qind të votave nga Asociacioni i Shkruesve të Futbollit, duke e lënë prapa mesfushorin e Mançester Sitit, Kevin de Bryjn dhe mesfushorin e Uest Hem Junajtid, Deklan Rice. Salah i ka realizuar 30 gola dhe i ka bërë 14 asistime në 44 ndeshje deri tash këtë sezon me “Reds”, të cilët janë në garë për katër trofe. 29 vjeçari e fitoi këtë trofe të çmuar të gazetarëve për herë të dytë në karrierë. Lojtarët nga dy kandidatët kryesorë për titull të kampionit në Premier League, Liverpul e Mançester Siti, i dominuan votimet, me nëntë lojtarë të menaxherit Jurgen Klop dhe gjashtë të Pep Guardiolës. Në konkurrencën e femrave, australiania e Çelsit, Sam Kerr u zgjodh më e mira e vitit në Angli. Ajo i realizoi 18 gola dhe i ndihmoi “Blues” të jenë në krye të Superligës së femrave, duke i marrë 40 për qind të votave. Në vendin e dytë përfundoi përfaqësuesja holandeze e Arsenalit, sulmuesja Viviane Miedema, kurse e treta ishte futbollistja e Mançester Sitit, Lauren Hemp. Ndërkohë, për qëndrimin e Salahut në radhët e Liverpulit ka shprehur dëshirë dhe në fakt e ka lënë të hapur si mundësi edhe vetë trajneri i tij, gjermani Jurgen Klop. Sipas teknikut Salah është futbollist që i duhet Liverpulit në vazhdimësi, pasi ai po rritet, është lider në ekip dhe në Premier League mund të gjejë kapacitetin e vet maksimal si futbollist. Vetë trajneri ka rinovuar kontratën me Liverpulin deri në vitin 2026. Por tekniku Jurgen Klop nuk beson se kontrata e tij e re me Liverpulin do të jetë një faktor vendimtar për të bindur Mohamed Salahun për të qëndruar. Përveç Salahut, Sadio Mane është një tjetër lojtar që Liverpuli dëshiron t’ia vazhdojë kontratën. Edhe pse Klop thotë se ka një marrëdhënie të shkëlqyer me të dy sulmuesit, ai e kupton se ata do të marrin vendimet për të ardhmen e tyre. “Marrëdhënia ime me Salahun dhe Manen është e shkëlqyer. Nuk besoj se marrëveshja ime do të ketë ndikim në vendimet e tyre. Në fund të fundit, ata vendosin për veten”, tha Klop. Kontrata e Salahut me Liverpulin skadon në vitin 2023 sikurse e Manes.









































