Partizani dhe Dinamo do të përballen këtë të premte në kuadër të javës së 31-të të Superiores, nj derbi që do të thotë shumë për të dy ekipet e veçmas për të kuqtë, që synojnë një vend në Europë nga kampionati. pra, që ta realizojnë objektivin e tyre, duhet të mundin fillimisht Dinamon në derbi, pasi nga ky derbi kalon Europa e tyre. Në prag të derbit me “nëndetësen blu”, doli në konferencë shtypi zv/trajneri Fation Tafaj, i cili dha detaje teknike rreth grupit, por shpalosi edhe objektivat në këto 6 javë të mbetura.
Detaje teknike rreth lojtarëve dhe lojës
40-vjeçari preku edhe tema të tjera, duke vlerësuar ekipin kundërshtar dhe duke pranuar se “Demat” kanë probleme në lidhje me pankinën dhe cilësinë në metrat e fundit. “Nuk kemi arritur në atë pikë që po të humbim këtë ndeshje apo ta barazojmë, humbëm gjithçka. Është një ndeshje që duhet vlerësuar maksimalisht. Është fat i keq për kampionatin shqiptar që Dinamo ka arritur në këtë pikë. Për kualitetin e lojtarëve, emrin që ka dhe mënyrën e lojës, ata nuk e meritojnë të jenë në këtë renditje. Të gjithë ndeshjet janë të vështira, por nuk duam ta çojmë ndërmend që do marrim minimalen e pikëve në këtë ndeshje. Stoli? Ky është një nga problemet që kemi në ekip, pasi dihet që lojtarët e stolit duhet të ndryshojnë ritmin e lojës, mënyrën dhe rezultatin e lojës. Ndoshta nuk e kemi atë kualitetin e lartë në pankinë, sidomos në pjesën ofensive. Nga statistikat që ne kemi, Partizani ka qenë një nga ekipet më të mira në tranzicionin pozitiv. Vuajmë me ekipet që rreshtohen me 9-10 lojtarë mbrapa, pasi nuk e kemi kualitetin e duhur në 20 metrat e fundit për pasimin final, driblimin apo zgjidhjen individuale të situatave. Ka ardhur fundi, duhet bërë gjithçka për gjithçka. Dinamo luan mirë futboll, edhe në ndeshjet e fundit kanë humbur për gabime individuale. Janë një ekip që të vë në pozitë të vështirë dhe që luan shumë nga krahët.
Ambicia si trajner i parë
Nuk mungoi qasja e Tafajt në lidhje me zërat që thonë se ai mund të marrë drejtimin e skuadrës si trajner i parë nëse tërhiqet Mehmeti. “Unë gati për trajner i parë? Kjo është edhe çështje eksperiencë. Një trajner mund të jetë gati kur e ndjen se është gati. Megjithatë, trajningu në Shqipëri është “shumë i vështirë”. Duhet të jem shumë i matur në lidhje me hapin tim të parë si trajner i parë. Për momentin dua të bëj maksimumin te Partizani”, nënvizoi më tej Tafaj.
Vëmendje sulmit
Partizani do të zhvillojë sot duelin derbi ndaj Dinamos, derbi i gjashtë për këtë sezon mes këtyre dy ekipeve. Skuadra ka vuajtur për të shënuar. Kjo dhe për faktin se reparti ofensiv ka çaluar gjatë këtyre muajve. Mbrojtja në këtë ndeshje pritet të jetë klasikja, me Hoxhën në portë dhe para tij Albion Marku, Bitri, Belica dhe Hadroj. Në mesfushë ka dilema, sepse mungon Murataj dhe me shumë mundësi kthehet Kallaku titullar, teksa Matondo dhe Rrapaj plotësojnë këtë repart. Në sulm priten të zakonshmit: Zhunior, Skuka dhe Mala. Cara pritet ta nisë nga stoli.









































